image Osmani, Kurti dhe Konjufca takohen me të mbijetuarit e aksidentit në Kroaci para familjarëve të tyre

Sociale

Osmani, Kurti dhe Konjufca takohen me të mbijetuarit e aksidentit në Kroaci para familjarëve të tyre

news image

27 bashkatdhetarë të cilët i shpëtuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë kanë mbërritur sonte në Kosovë, përmes Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ata janë pritur nga familjarët e tyre, si dhe nga presidentja, Vjosa Osmani, kryekuvendari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti.

Para se t’i shihnin familjarët e tyre, ata u pritën në takim nga krerët shtetëror.

Pas këtij takimi, ata kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët për media, në të cilin thuhet se bashkatdhetarëve u është premtuar përkujdesja institucionale

Presidentja Osmani tha se “në tragjedinë e Slavonski Brodit ne nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë. Aty humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme: mërgimtarët”.

Në emër të qytetarëve të Kosovës, ajo u shpreh mirënjohëse për ndihmën e pakursyeshme që kanë dhënë për menaxhimin e kësaj situate të rëndë, të gjitha institucionet shtetërore të Kroacisë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u shprehu ngushëllime familjarëve që humbën më të dashurit në aksidentin tragjik dhe u dëshiroi shërim sa më të shpejtë të lënduarve.

“Institucionet e vendit do të jenë pranë jush për të përballuar bashkërisht këto momente të vështira për të gjithë ne”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se për shqiptarët e mërguar, jeta është numërim ditësh deri te ardhja e radhës në atdhe.

“Pavarësisht se sa të mëdha janë distancat, ato zvogëlohen, se maten me zemër. Këtë të diel, rruga e gjatë nuk solli në atdhe një pjesë tonën të mërguar. Solli dhimbje për mbarë popullin. Këtë dhimbje sot e ndajmë bashkë dhe qëndrojmë të bashkuar në këtë tragjedi, si një familje e madhe që jemi”, u tha bashkatdhetarëve kryeministri Kurti. 

Përmes komunikatës bëhet e ditur se Qeveria u siguroi se do të përpiqet me të gjitha mundësitë që t’ua lehtësojë sadopak dhimbjet dhe pasojat nga aksidenti. 

“Kthimi i bashkëqytetarëve nga Kroacia në Kosovë është bërë në koordinim të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë. Qeveria e Kosovës ka organizuar transportimin dhe përcjelljen e bashkatdhetarëve nga aeroporti deri te familjet, në vendbanimet e tyre”, thuhet në komunikatën e tyre./Gazeta Sinjali/