Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një takim virtual me ministren britanike për fqinjësi Evropiane dhe Amerikë, Wendy Morton.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se në këtë takim, Osmani ka potencuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet aleate strategjike e Kosovës dhe se do të angazhohet për thellimin e raporteve bilaterale në politikë, tregti, siguri kombëtare dhe mbrojtje, si dhe kulturë e arsim.
Osmani po ashtu citohet t’ia ketë përmendur ministres britanike që prioritet i institucioneve është sigurim i vaksinave kundër COVID-19, krijimi i vendeve të reja të punës dhe sundimi i ligjit.
“Presidentja Osmani kërkoi përkrahje nga Mbretëria e Bashkuar në furnizim me vaksina për qytetarët e Kosovës, marrë parasysh se Mbretëria e Bashkuar është shtet lider në vaksinim të popullatës”, thuhet në kumtesë.
Ndërkaq, ministrja Morton nënvizoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për intensifikim të raporteve bilaterale.
Ajo madje, citohet ta ketë inkurajuar Kosovën që të jetë pjesë e agjendës globale mjedisore dhe luftimin e ndryshimeve klimatike.
“Presidentja Osmani dhe Ministrja Morton diskutuan për dialogun me Serbinë dhe potencuan rëndësinë e përfshirjes së gjitha grupeve politike, përfshirë partitë opozitare, në temat e interesit kombëtar”, përfundon komunikata./Gazeta Sinjali/