Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani thotë se e gjithë Kosova dhe të gjithë ata që e vlerësuan artin e kulturën dhe ikonën e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, sot janë në dhimbje të madhe.
Ajo pas homazheve që bëri në nderim të jetës e veprës së Pagarushës, mëngjesin e sotëm, tha se trashëgimia që ka lënë ajo pas do të rrojë për brezat e ardhshëm.
“Jam e bindur që trashëgimia që la pas, zonja Nexhmije Pagarusha, bilbili i Kosovës do të rrojë edhe për brezat e ardhshëm. Është një njeri që ka bërë shumë jo vetëm për artin e kulturën, por për të gjithë popullin tonë. Pra, është shndërruar në një simbol të dashurisë ndaj popullit, dhe nëpërmjet zërit na ka dhënë shumë”, tha Osmani.
Osmani tha se shpreson se institucionet në nderim të veprës së saj do të bëj në të pamundurën që tash e tutje të përkrahin artin e kulturën dhe njerëzit që i dhanë kaq shumë Kosovës me veprën e tyre.
“Gjithnjë ekziston mundësia për të bërë më shumë dhe në veçanti për personalitete të rralla. Është e vërtetë që ajo që la Nexhmije Pagarusha pas nuk është vetëm muzika, nuk janë vetëm këngët, por është shembulli i saj i jashtëzakonshëm i dashurisë së një populli të tërë. Shembulli i saj i emancipimit të një shoqërie të tërë, në vite kur në veçanti gratë nuk e kishin zërin e tyre të dëgjuar aq sa duhet”, ka shtuar Osmani.
Ndër të tjera ajo tha se ajo do të jetë shembull për të gjitha gratë dhe vajzat e reja në Kosovë, që të guxojnë të ëndërrojnë e ato të bëhen realitet.
Ndërkohë, bashkëpunëtorë, miq e figura të shquara po vazhdojnë të bëjnë homazhe e të ngushëllojnë familjarët e ikonës së këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha.
Ata që kanë punuar me të po e quajnë ambasadore të këngës shqipe. Këngëtarja Shyhrete Behluli me lot në sy tha se ajo e vepra që la pas do të jetojnë gjithmonë.
“Kjo do të jetojë gjithmonë në zemrat tona dhe të popullit shqiptar, sepse ka qenë e të gjithëve”, tha Behluli.
Behluli tha se ndoshta i kanë mbetur “hak”, për shkak se nuk është bërë mjaftueshëm për të.
“Si fëmijë jam rritur me këngët e saj, vazhdoj karrierën me këngët e saj. Me këngët për të ndoshta do të mundohem që edhe në të ardhmen me dhënë për të. Sepse ndoshta nuk kemi dhënë sa duhet, si kolegë si artistë. Nexhmija ka qenë ambasadore e të gjithë ambasadorëve të këngës shqipe”, tha ajo.