Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti kujtoi dhe nderoi sakrificën e secilit anëtar të familjes Jashari duke theksuar se drejtësia për sulmin e Serbisë as nuk ka filluar.
“Tre breza para 23 vjetëve u flijuan në Prekazin historik për lirinë e Kosovës. U sakrifikuan për çlirim, për pavarësi, për bashkim, për popullin dhe kombin tonë. Për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes legjendare Jashari askush nuk është gjykuar dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar dhe as s’ka filluar, prandaj ne duhet të angazhohemi që kjo të ndryshojë për hir të Republikës së Kosovës, për hir të pasardhësve të Jasharëve dhe për hir të kombit tonë”, tha Kurti.
Bashkë me Kurtin ishte edhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, e cila tha pas homazheve se populli i Kosovës e ka për borxh që kujtesën historike dhe ndjenjën e historisë ndaj familjes Jashari ta bartë brez pas brezi.
“Jemi këtu në Prekaz në vendin që bëri bashkë një Komb të tërë rreth kauzës për çlirim, në vendin që është shndërruar në ikonë të lirisë, dhe në simbol të sakrificës më sublime të komandantit legjendar Adem Jashari, të bacës Shaban dhe sakrificës më sublime të gjithë familjes Jashari, një sakrificë sublime që rezultoi me lirinë dhe shtetin e Kosovës. E kemi borxh që kujtesën historike e mbi të gjitha ndjenjën e mirënjohjes së thellë ta bartim brez pas brezi në mënyrë që edhe fëmijët tanë por dhe fëmijët e fëmijëve tanë ta kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi që pagoi populli shqiptar në mënyrë që sot ta kemi shtetin tonë”, tha Osmani./Gazeta Sinjali/