image Osmani - senatorëve amerikanë: Diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon

Politikë

Osmani – senatorëve amerikanë: Diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Kanada, në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax, është takuar me një delegacion të Senatit amerikan, i përbërë nga senatorët: Jeanne Shaheen, Joni Ernst, Chris Coons dhe James Risch, njofton presidenca.

Në një njoftim të lëshuar nga Presidenca, Osmani citohet t’i ketë falënderuar senatorët amerikanë për mbështetjen që ShBA i ka dhënë dhe po vazhdon t’i jep vendit tonë.

Presidenca njofton se në këtë takim, e para e vendit “ka potencuar se diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon, njësoj sikurse edhe tendencat ruse për shtrirjen e ndikimit negativ në rajon”.

“Ajo theksoi se ky ndikim synon zhbërjen e arritjeve të ShBA-ve, BE-se dhe NATO-s në rajon lidhur me paqen, stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.

Më tej, Presidentja Osmani i ka njoftuar senatorët amerikanë në lidhje me përpjekjen e Kosovës për reforma gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë posaçërisht forcimin e sundimit të rendit e ligjit si dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja.

“Senatorët falenderuan Kosovën për pranimin e refugjatëve afganë dhe realizimin e misionit të parë paqësor jashtë vendit të ushtarëve të FSK-së përkrahë Ushtrisë Amerikane në Kuvajt, duke rikonfirmuar kështu partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Amerikës dhe kontributin për paqe e siguri në botë”, thuhet tutje në njoftim.

Në këtë vizitë, Osmani po shoqërohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj./GazetaSinjali/