image OSHP-ja gjobit Ministrinë e Shëndetësisë, kërkon heqjen e licencës për shefin e prokurimit për shkeljet në tenderin për furnizim me Insulina

Shëndetësi

OSHP-ja gjobit Ministrinë e Shëndetësisë, kërkon heqjen e licencës për shefin e prokurimit për shkeljet në tenderin për furnizim me Insulina

news image

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) përmes një vendimi të cilin e ka gjobitur Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) me 5 mijë euro për shkak të shkeljeve të vazhdueshme ligjore që këta kanë bërë në tenderin për furnizim me Insulina, e ku vleresohet se dëmi i shkaktuar buxhetit të Kosovës është mbi 500 mijë euro.

Gjithashtu, përmes këtij vendimi bordi i OSHP-së ka kërkuar heqjen e licencës për shefin e prokurimit të ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ka kthyer në rivlerësim tenderin për furnizim me Insulina.

Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Shëndetësisë ketë tender vazhdon ta zvarrit prej më shumë se dy vitesh, duke shkelur kriteret e dosjes se tenderit me çdo kusht fitues të këtij tenderi maratonik kanë dashur ta shpallin kompaninë “Meditech”, ndonëse në garë ishte kompania “Pharma Leader” e cila kishte ofertuar rreth 400 mijë euro më lirë.

Në pamundësi të ruajtjes se monopolit, para disa ditësh ministria e Shëndetësisë kishte kërkuar që ta anulojnë këtë tender, por kundër një vendimi të tillë dy operatorë ekonomik “Meditech” si dhe “Pharma Leader”, kishin ushtruar ankesë, një herë te Autoriteti Kontraktues (AK) dhe më parë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Bordi i Gjykatës së tenderëve, ankesën e Operatorit të parë Meditech” e ka refuzuar si të palejueshme, deri sa ankesën e kompanisë tjetër “Pharma Leader” e ka aprovuar si të bazuar tërësisht duke kthyer këtë lëndë edhe një herë në proces të shqyrtimit.

Në vendimin e OSHP-së më tutje thuhet se anulimi i këtij procesi të prokurimit është bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP).

“Përdorimi i opinionit për të krijuar, modifikuar ose ndërruar specifika teknike në një dosje tenderi nga aspekti i kundërt çfarë parasheh një Udhëzim Administrativ shndërron aktivitetin e prokurimit në një veprim të paligjshëm administrativ” thuhet vendimin e panelit Shqyrtues të OSHP-së.

Aty më tutje thuhet se  shmangia e aplikimit të udhëzimit administrativ në këtë proces prokurimi, eliminon konkurrencën në mes të Operatoreve Ekonomik.

MSH: Po e ruajmë buxhetin

Në anën tjetër zyrtarë të ministrisë së shëndetësisë thonë se ketë aktivitet të prokurimit e kanë anuluar me qëllim të ruajtjes së buxhetit.

“Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizim me Insulina Analoge pas vendimit te OSHP-se Nr. 397/21 te datës 25.07.2022, duke marre parasysh interesin publik – ruajtjen e buxhetit, meqenëse nga operatori ekonomik qe është shpërblyer me kontrate, kemi arritur qe ne procedurën pasuese gjate vitit 2022 te furnizohemi me te njëjtat produkte por me çmime me te ulëta se sa ne këtë aktivitet. MSh-se është e interesuar qe pacienteve te ua siguroj produktet e duhura, me çmime sa me te ulëta dhe duke respektuar legjislacionin ne fuqi, konkretisht Ligjin Nr.04/L-190 për Produktet dhe Pajisjet Medicinale.

Prandaj, MSh nuk ka mandat për te shkelur ligjin për interesa të asnjë Operatori Ekonomik” thuhet në përgjigjen e ministrisë së shëndetësisë. Në përgjigjet e tyre zyrtarë të ministrisë së shëndetësisë kanë kundërshtuar edhe vlerësimin e ekspertit shqyrtues të OSHP-së i cili gjatë seancës së OSHP-së eksperti i OSHP-së tha se ministria e Shëndetësisë me çdo kusht po tenton ta ruaj monopolin për furnizim me insulina.

Kjo nuk është fare e vërtete. Ministria e Shëndetësisë nuk është duke tentuar ta ruaj monopolin, por është për zbatimin e ligjshmërisë, Ligjit Nr.04/L-190 për Produktet dhe Pajisjet Medicinale, i cili ne Nenin 16 ka paraparë qe: “1. Produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.

Pharma Leader: U shkaktua dëm mbi 500 mijë euro

Në anën tjetër përfaqësues të kompanisë Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit të KDI-së “Promovimi i integritetit në proceset e prokurimit publik në kohë pandemie” thonë se duke shfrytëzuar vakumin ligjor, në mungesë të bordit të OSHP-së sipas tyre kanë nënshkruar një marrëveshje më UNOPS-in për furnizim me insulina analoge, duke anashkaluar udhëzimin administrativ 02/2014 me qëllim që të eliminohet konkurrenca në dobi të një Operatori Ekonomik. “Kompania jonë do të deponojë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë argumentet e shumta ku Ministria e shëndetësisë si kontraktim me UNOPS-in inicimi i procedurës së negociuar pa publikim të kontratës ka shkaktuar një dem financiar prej më shumë se 500 mijë euro” kanë thënë përfaqësues të kompanisë “Pharma Leader”.

Meditech: Autorizim Marketingu është pasaporta e produktit

Në anën tjetër përfaqësues të kompanisë Meditech në seancën e shqyrtimit kryesor ka thënë se Autorizim Marketingu mund të konsiderohet si pasaportë e produktit që përcakton kontrollin e kualitetit. “ Nuk ka asnjë shtete në botë që lejojnë qarkullimin e barnave pa autorizim marketing” kanë thënë ata.

Sheqiri: Po pretentohet të shkohet në monopol

Eksperti i Organit Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) Agim Sheqiri gjatë seancës së shqyrtimit kryesor të ankesave të kompanive ankuese ka thënë se për të si ekspert shqyrtues dosja me kriteret e përcaktuara është Kushtetutë.

“E kemi një proces që po zgjat që nga viti 2020. Për ketë proces kemi vendime, ekspertiza, për të cilat unë nuk dua të lëshohem. Unë e kam lëshuar një ekspertize që ky aktivitet duhet të rivlerësohet, pasi që Ministria e Shëndetësisë gjatë procesit të vlerësimit nuk ka marrë për bazë kriteret që janë vendosur në dosje të tenderit” ka thënë eksperti gjatë seancës së OSHP-së. Pra, sipas tij, kriteret në këtë dosje janë shumë të qarta.

“Në bazë të tenderit kompanitë që aplikojnë te pjesa kërkesa mbi mundësitë teknike, ose profesionale, pika 9,1 dhe 9,2, më saktësisht pika 2 për kompanitë që dëshirojnë të aplikojnë në këtë proces të prokurimit kërkohet të kenë: “Autorizim për Marketing në Kosovë me specifikimin e kërkuar të produktit, nëse nuk ka paralele të regjistruar në Kosovë, vlen Udhëzimi Administrativ 02/2014 dhe për dëshmi – kopja e certifikatës së Autorizim Marketingut në një vend të BE ( Si dëshmi që produkti qarkullon në BE. Për mu është parimore që Autoriteti Kontraktues t’iu përmbahet kërkesave që i ka paraparë në dosje te tenderit” ka thënë më tutje Sheqiri në seancën e OSHP-së.

Më tutje, Sheqiri ka thënë para Panelit Shqyrtues se në këtë mënyrë duke mos respektuar kriteret e dosjes se tenderit pretendohet të shkohet në monopol direkt.

Rrjedha e tenderit 7 milionësh

Më 14 dhjetor të vitit 2020, me ç’rast kishin aplikuar 3 kompani. Kompania “PHARMA LEADER” për lotin I kishte aplikuar me çmim prej 1,097,467,36 €, për lotin II, nuk ka aplikuar fare, deri sa për lotin III ka aplikuar me çmim prej 4,109,006,12 €. Kompania “LEGO” në këtë proces të prokurimit për lotin I ka aplikuar me çmim prej 1,165,730,88 €, për lotin II me çmim prej 876,782,40 €, si dhe për lotin III me çmim prej 4,579,144,12 €. Deri sa Operatori tjetër Ekonomik “MEDITECH” për lotin I kishte aplikuar me çmim prej 1,144,726,72 €, për lotin II ka aplikuar me çmim prej 913,315, deri sa për lotin III ka aplikuar me çmim prej 4,456,908,24 €. Bazuar në procesverbalin e hapjes së tenderëve, shihet se kompania “PHARMA LEADER”, e cila në vendin tonë sjellë insulinat e prodhuesit amerikan “Eli Lilly”, kishte ofertuar me çmim prej rreth 400 mijë euro më të lirë se sa operatoret tjerë që kanë qenë në garë, por Prokurimi i Ministrisë ka rekomanduar operatorin më të shtrenjtë, “Meditech”.

Rekomandimi i komisionit të parë

Më 8 shkurt të këtij viti komisioni i përbërë prej tre anëtaresh Afrim Bekteshi, Fatos Aliu, si dhe Besim Bajraktari për lotin I dhe III kishin rekomanduar që kontrata t’i jepej kompanisë “PHARMA LEADER”, për lotin II, ky komision kishte rekomanduar që kontrata t’i jepet kompanisë Meditech. Katërmbëdhjetë ditë më vonë, më 22 shkurt të këtij viti përmes letrës standarde Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar kompaninë “PHARMA LEADER”  se ishte shpallur fitues për lotin I dhe III të këtij procesi të prokurimi, deri sa për lotin II ishte shpallur kompania “MEDITECH”. E pa kënaqur me këtë epilog, kompania “MEDITECH” e cila prej më shumë se një dekade ka pasur në vendin tonë monopolin e furnizimit me insulina është ankuar në ministrinë e Shëndetësisë, e ku këta të fundit  në mënyrë automatike e kishin pezulluar këtë proces prokurimi, raporton “Front Online”. Më 1 mars të këtij viti udhëheqësi i divizionit të Prokurimit në këtë ministri Ismet Hyseni kishte aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesës e kompanisë “MEDITECH”, me të nijetin vendim ai kishte anuluar vendimin për dhënie kontrate si kishte urdhëruar që lënda në fjalë të kthehet në rivlerësim.

Rekomandimi i komisionit të dytë

Tre ditë më vonë, respektivisht më 4 mars të këtij vit, MSH-ja kishte krijuar komisionin e dytë në përbërje: Arbëresha Haxhibeqiri, Adnan Klinaku anëtar si dhe Berat Marmullaku, anëtar. Këta në raportin e rivlerësimit kanë rekomanduar që kompania “PHARMA LEADER”  të shpallet e papërgjegjshme për lotin I dhe III, e ku kanë rekomanduar që kontrata t’i jepet kompanisë “MEDITECH”. E pa kënaqur me ketë vlerësim kompania e cila në fillim kishte qenë e rekomanduar për kontratë “PHARMA LEADER”  kishte bërë ankesë në ministrinë e Shëndetësisë, por e njëjta  nga drejtori i prokurimit Ismet Hyseni është refuzuar si e pabazë, e ku e ka lënë ne fuqi, vendimin për dhënie të kontratës. Ministria e Shëndetësisë si arsyetim për të nxjerr nga loja kompaninë që përfaqëson insulinat e prodhuesit amerikan, ka konsluduar se produktet e kompanisë “Meditech” janë të regjistruara në AKPM, kurse në dosje të tenderit kërkohet që kompanitë që aplikojnë në këtë proces prokurimi duhet ta kenë

“Autorizimi për Marketing ne Kosovë, me specifikimin e kërkuar te produktit. Ne rast se nuk ka paralele të regjistruar në Kosovë vlen UA 02  2014 dhe për dëshmi – Kopja e Certifikatës se Autorizim Marketingut ne një vend te BE (si dëshmi se produkti qarkullon ne BE)”. Gjatë vlerësimit të ofertave Ministria e Shëndetësisë ka anashkaluar kërkesën e dosjes se tenderit si dhe udhëzimin administrativ 02/2014,  i cili parasheh importin e produkteve pa paralele, gjë që e bënë të barabartë kompaninë “Pharma Leader”, produktet e të cilës janë pa paralele në Kosovë. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe përmes shkresës zyrtare zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicionale (AKPM).

MSH nuk përfill rekomandimet e OSHP-së

E pakënaqur me vendimin e ministrisë për refuzim të ankesës  si të pabazuar kompania “PHARMA LEADER” ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, e ku këta të fundit përmes vendimit të nxjerr më 25 mars të këtij viti kishin urdhëruar që njoftimi për dhënie të kontratës të anulohet si dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Mirëpo, edhe pas rivlerësimit, e ku vendimi është publikuar më 28 prill është bërë vlerësim i njëjte sikurse ai paraprak, pra është rekomanduar për lotin I dhe III kompania “MEDITECH” me çmim prej 400 mijë euro më të lartë se sa çmimi që kompania tjetër “PHARMA LEADER” ka ofertuar në këtë proces prokurimi.

Ky proces maratonik prokurimi, kohë më parë kishte nisur të hetohet edhe nga organet e hetuesisë, por deri me tash nuk ka marrë ndonjë epilog

(Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit të KDI-së “Promovimi i integritetit në proceset e prokurimit publik në kohë pandemie}

/GazetaSinjali/