image OSHC i drejtohet Qeverisë: Mos ndërmerrni asnjë vendim pa u siguruar për transparencë

Kosovë

Politikë/ OSHC i drejtohet Qeverisë: Mos ndërmerrni asnjë vendim pa u siguruar për transparencë

news image

Organizata botërore për mbrojtjen e natyrës WWF në Kosovë, së bashku me 14 organizata të shoqërisë civile, i janë drejtuar me një letër presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryeparlamentares Vjosa Osmani.

Përmes kësaj letre iu bëhet thirrje krerëve që të shtyjnë çdo vendimmarrje që për momentin nuk është e rëndësishme për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, e për të cilat vendimmarrje nuk mund të sigurohet transparenca kuptimplote dhe pjesëmarrja.

“Transparenca e plotë dhe mirëqeverisja janë parësore në këto kohë, në mënyrë që të mos cenohen të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe vendimmarrja demokratike në shoqërinë tonë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga WWF dhe organizatat bashkëpunëtore.

Organizatat e Shoqërisë Civile thonë se janë të vetëdijshme për kushtet ekstreme në të cilat qeveria po punon, megjithatë, ato i kërkojnë qeverisë që të shtyjë për më vonë çdo vendimmarrje e cila nuk lidhet në mënyrë të menjëhershme me shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, e për të cilat vendime nuk mund të sigurohet një pjesëmarrje dhe transparencë e plotë në këtë moment.

Më poshtë letra e plotë:

Drejtuar: Z. Hashim Thaqi, President i Republikës
Z. Albin Kurti, Kryeministër
Znj. Vjosa Osmanit, Kryetare e Kuvendit

Nga: Organizatat e shoqërisë civile të renditura në fund të kësaj letre

Lënda: Mjedisi dhe kriza e COVID-19 Të nderuar,
Pandemia e SARS-CoV-2 po shkakton një krizë të pashembullt, pasojat e së cilës janë ende të paqarta. Ne jemi të vetëdijshëm mbi situatën sfiduese me të cilën po përballen institucionet shtetërore, që nga njëra anë i duhet të zhvillojë dhe të sigurojë zbatimin e masave për të mbajtur njerëzit tanë të sigurt dhe të shëndetshëm, ndërsa nga ana tjetër, të fillojë përgatitjet për përgjigjen ndaj pasojave ekonomike dhe sociale të sjella nga të njëjtat masa.

Jemi tejet të pikëlluar nga humbjet e jetëve shkaktuar nga virusi, dhe si pjesë e shoqërisë, keni mirënjohjen tonë për punën e palodhur për të parandaluar përhapjen e kësaj epidemie në vendin tonë.

Si pjesë e shoqërisë civile, sidoqoftë, ne ju bëjmë thirrje që të ruani parimet e transparencës dhe qeverisjes së mirë, si themelet e një shoqërie demokratike të bazuar në sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut për secilin individ, pavarësisht kohës së pasigurt dhe të vështirë në të cilën ndodhemi. Vendi ynë pajtohet me parimet e transparencës dhe qeverisjes së mirë, si dhe në linjë me konventa të ndryshme ndërkombëtare të ratifikuara nga Kosova.

Transparenca kërkon shpalosjen e informacionit për hartimin e politikave dhe shpenzimet, ndërsa siguron qasjen e qytetarëve në informacione të tilla. Prandaj, është një element kryesor për të ndërtuar përgjegjshmërinë dhe besimin tek vendimmarrësit.

Parimet e qeverisjes së mirë, të transparencës, pjesëmarrjes, përgjegjësisë, efektivitetit dhe koherencës shërbejnë për të krijuar besim në procesin e hartimit të politikave, duke rritur kështu legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve publike. Veçanërisht të rëndësishme janë
parimet e informacionit dhe pjesëmarrjes në kohë, të cilat shërbejnë për të siguruar proceset vendimmarrëse gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse duke angazhuar të gjithë palët e interesuara.
Përveç rritjes të besueshmërisë së procesit, ato lejojnë një pronësi më të gjerë mbi vendimet e marra, duke siguruar një mundësi për të bashkë-zhvilluar dhe përmirësuar idetë fillestare. Pjesëmarrja gjithëpërfshirëse është gjithashtu një mënyrë për të siguruar që institucionet të jenë përgjegjëse për veprimet ose mosveprimet e tyre.

Zbatimi kuptimplotë, konsistent dhe i vazhdueshëm i transparencës dhe qeverisjes së mirë është thelbësor në këto kohë sfiduese, në mënyrë që të mos cënohen të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe vendimmarrja demokratike e pranishme në shoqërinë tonë. Kushtet aktuale ekstreme të punës, përfshirë lëvizjen e kufizuar dhe kufizimin e tubimeve, nuk janë të favorshme për të siguruar siç duhet vendimmarrjen pjesëmarrëse dhe transparencën. Kështu, ne i kërkojmë institucioneve shtetërore të shtyjë çdo vendimmarrje që nuk është menjëherë e rëndësishme për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, për të cilat transparenca dhe pjesëmarrja kuptimplotë nuk mund të sigurohet.

Jemi të vetëdijshëm se institucionet përkatëse duhet të fillojnë të hartojnë masa lehtësimi dhe plane për të frenuar rënien e mundshme ekonomike pas pandemisë. Duke marrë parasysh këtë, po përcojme disa rekomandime që do të na ndihmojnë të ecim përpara dhe të përshpejtojmë lëvizjen drejt një ekonomie e cila është neutrale ndaj klimës, mbron dhe rimëkëmb mjediset tona natyrore, shëndetin dhe mirëqenien, dhe nuk lejon që asgjë të shkojë në humbje – në mënyrë të drejtë dhe pa lënë askënd pas:

Të mbështetet dhe forcohet zbatimi dhe financimi i standardeve dhe politikave ekzistuese mjedisore për të adresuar krizën e klimës, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen e mjedisit. Nëse nuk arrijmë të përparojmë këtu, ne do ti bëjmë sfidat aktuale

për klimën dhe krizat e biodiversitetit më të rënda dhe të shtrenjta. Ky çmim do të paguhet nga çdo anëtar i shoqërisë sonë, por do të lërë një gjurmë më të fortë për të varfërit, të disavantazhuarit dhe më të cënueshmit.

Të investohet më shumë në ngritjen e vetëdijes dhe edukimit në lidhje me të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e natyrës, duke forcuar shoqërinë tonë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes. Përmes investimeve afatgjata të dedikuara në arsim dhe në ndërgjegjësim, duke përfshirë edhe mbështetjen për organizatat e shoqërisë civile, ne ndërtojmë një shoqëri të drejtë, më tolerante dhe të informuar, të aftë për të adresuar në mënyrë të qartë kërcënimet ndaj mirëqenies tonë, përkatësisht krizën klimatike, humbjen e biodiversitetit dhe përkeqësimin e përgjithshëm të aftësisë së planetit tonë për të mbështetur mënyrën tonë të jetesës.

Të bëhet e mundur shpërndarja e fondeve stimuluese dhe masave lehtësuese sipas kushteve, në mënyrë që të drejtojë transformimin e ekonomisë sonë drejt qëndrueshmërisë. Këto investime duhet të japin përfitime afatgjata për shoqërinë tonë dhe të ndihmojnë që ekonomia jonë të jetë më elastike ndaj goditjeve në rritje. Kjo u mbështet tashmë nga 17 ministra evropianë të klimës dhe mjedisit, të cilët kërkuan që planet e rimëkëmbjes të integrojnë tranzicionin e gjelbër dhe transformimin dixhital.
Të lançohen nisma të gjëra e të qëndrueshme në përputhje me interesin publik. Përveç sigurimit të punësimit të drejtpërdrejtë për ata që preken nga rënia ekonomike dhe ndihmojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë, këto nisma duhet të japin përfitime të prekshme dhe të barabarta për mjedisin, siç janë restaurimi i ekosistemeve, uljet e drejtpërdrejta të emetimeve, efikasiteti i energjisë dhe dekarbonizimi.

Të sigurohet mbështetje për organizatat (lokale) të shoqërisë civile që kanë shtrirje të gjerë në ofrimin e shërbimeve me bazë në komunitet, duke punuar drejtpërdrejtë me grupet më të cënueshme. Përveç zhvillimit të programeve të reja në këtë drejtim, duhet të vazhdojnë të jenë plotësisht të disponueshme fondet tashmë të alokuara për mbështetjen e OShC-ve për të vazhduar punën e tyre. Disbursimi i këtyre fondeve do të jetë i dobishëm për të mbështetur zhvillimin e hapësirës qytetare, si dhe funksionimin e organizatave të shoqërisë civile që mund të jenë partnere të fuqishme në bashkëkrijimin e zgjidhjeve për të lehtësuar ndikimet e krizave.

Organizatat tona janë të gatshme të punojnë me ju për të siguruar që përkundër këtyre sfidave, ne të vazhdojmë në rrugën e një tranzicioni të drejtë e të barabartë drejt një shoqërie vërtetë të qëndrueshme, ku askush nuk mbetet pas.

Përveç WWF Adria – Organizatës Botërore të Natyrës, kjo letër mbështetet edhe nga organizatat e shoqërisë civile:
 GAIA SCI Kosovo
TOKA
Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve VIER PFOTEN Kosova (Pylli i Arinjve)
CNVP Foundation
Asociacioni Kombëtar i Pronarëve të Pyjeve Private
Kosova Environmental Education & Research Center – KEERC
Sustainability for Leadership Kosova – SLK
Advocacy for Society Development – ASD
Prishtina Institute for International Economic Studies
Fondacioni Jeshil
Konsumatori
Gjeomjedisi
 EcoZ
Vision 02. /GazetaSinjali/