Kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka reaguar ndaj sulmeve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Davenport tha se sulmi ndaj policëve është i papranueshëm dhe u ka bërë thirrje institucioneve që të kapen autorët.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë po përcjell me shqetësim të madh sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës. Aktet e tilla të shëmtuara, të drejtuara kundër jetës së policëve, detyra e të cilëve është të mbrojnë të gjithë njerëzit në Kosovë, janë krejtësisht të papranueshme. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përqendrojnë përpjekjet në identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”.
Ngjarjet në veri i kanë dënuar edhe Ambasada amerikane, Bashkimi Evropian dhe liderët opozitarë në vend.