image ORCA hedh dyshime se Bajra po tenton të bëhet profesor përmes rrugëve joligjore

Arsim

ORCA hedh dyshime se Bajra po tenton të bëhet profesor përmes rrugëve joligjore

news image

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka dënuar ushtrimin e autoritetit të Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, Bajra po mundohet që rastin e tij të mospranimit si profesor në UP nga konkursi i vitit 2018 ta kontrabandojë tash përmes Inspektoratit të Punës.

“ORCA e dënon ushtrimin e autoritetit të Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së Ujkan Bajra, i cili po mundohet që rastin e tij të mospranimit si profesor në UP nga konkursi i vitit 2018 ta kontrabandojë tash, 3 vite më vonë përmes Inspektoratit të Punës. Së pari ORCA vë në dyshim këtë lëvizje të dyshimtë të Inspektoratit të Punës për trajtimin e një lënde ekskluzivisht akademike si rast të një punësimi klasik, për më tepër me 3 vite vonesë. Për këtë, ORCA do të kërkojë përgjegjësi sapo të formohen institucionet e reja”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Sipas kësaj organizate, asnjë person që mban pozita drejtuese, siç është ajo e anëtarit të Këshillit Drejtues në UP nuk do të duhej të avancohet në pozita akademike.

Njoftimi i plotë:

ORCA e dënon ushtrimin e autoritetit të Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së Ujkan Bajra, i cili po mundohet që rastin e tij  të mospranimit si profesor në UP nga konkursi i vitit 2018 ta kontrabandojë tash, 3 vite më vonë përmes Inspektoratit të Punës.

Së pari ORCA vë në dyshim këtë lëvizje të dyshimtë të Inspektoratit të Punës për trajtimin e një lënde ekskluzivisht akademike si rast të një punësimi klasik, për më tepër me 3 vite vonesë. Për këtë, ORCA do të kërkojë përgjegjësi sapo të formohen institucionet e reja.

Së dyti ORCA thekson se tentativa e personave në pozita drejtuese për t’u avancuar në kohën që mbajnë pozitat drejtuese është pamohueshëm konflikt i interesit. Asnjë person që mban pozita drejtuese, siç është ajo e anëtarit të Këshillit Drejtues në UP, nuk do të duhej të avancohet në pozita akademike. Njerëzit në Kosovë duhet të mësohen të zgjedhin me kujdes vijën e karrierës së tyre. Ata që zgjedhin karrierën akademike duhet t’i përkushtohen asaj dhe vetëm asaj. Manovrat politike nuk do t’i ndihmojnë askujt për asgjë, për sa kohë ORCA monitoron proceset.

ORCA mbështet rektoratin në refuzimin e trajtimit të rastit dhe i bën thirrje Senatit të UP-së që në çfarëdo situate ta refuzojë avancimin e Bajras sikurse ka vepruar më parë me ministra e funksionarë të tjerë më të lartë shtetëror.

Tentativa për ta komprometuar procesin e avancimeve të vitit 2018 nga kryesuesi i Këshillit Drejtues është dashakeqe për Universitetin. Në rrethana normale, një ministër normal do të duhej ta shkarkonte menjëherë personin në fjalë, por duke mos pritë që një gjë e tillë të ndodhë, ORCA siguron të gjithë të interesuarit për ta penguar reformën në UP, se një gjë e tillë nuk do të lejohet siç nuk është lejuar nga koha e Ibrahim Gashit e tutje, pavarësisht fuqisë politike që dikush mund ta ketë sot, përkohësisht.

ORCA u bën thirrje Parlamentit Studentor dhe organizatave studentore për t’u përgatitur për një valë të re protestash nëse të tilla ndërhyrje mundohen të bëhen nga të korruptuarit në largim. Universiteti është shpresa e vetme e sistemit të arsimit, nga i cili nuk bën dhe nuk mund të heqim dorë.

/Gazeta Sinjali/