image Opozita thotë se Qeveria Kurti s’ka strategji për tërheqjen e investitorëve

Politikë

Opozita thotë se Qeveria Kurti s’ka strategji për tërheqjen e investitorëve

news image

Deputetët e opozitës vlerësojnë se gjatë një viti të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti nuk ka pasë investime strategjike.

Nga LDK-ja dhe AAK-ja thonë se po mungojnë edhe investitorët e rëndësishëm që do të siguronin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ish-zëvendëskryeministri dhe deputeti aktual i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se Qeveria nuk ka as plan për t’i tërhequr investitorët e jashtëm në Kosovë.

“Ne nuk kemi asnjë investitor të rëndësishëm në Kosovë edhe pas ardhjes së kësaj qeverie. Madje, unë mendoj se nuk kanë as plan se si mund të krijohet situata ku investitori strategjik mund ta shohë si joshës tregun e Kosovës. Akoma jemi keq në këtë drejtim dhe nuk ka as plan për të ardhur investitorë të huaj në Kosovë”, tha Selmanaj për EO.

Edhe deputetja tjetër opozitare, Time Kadrijaj nga AAK-ja, tha se nuk ka pasur investime strategjike për një vit të Qeverisë Kurti.

Ajo theksoi se edhe pse janë krijuar lehtësira për investitorët e huaj, edhe ata kosovarë që jetojnë në diasporë, që ta shtrijnë tregun e tyre edhe në Kosovë, Qeveria nuk ka asnjë plan.

“Ne kemi pasur Ligjin për Investime Strategjike dhe janë bërë shumë përmirësime dhe lehtësira administrative në mënyrë që investitorët, edhe ata kosovarë që jetojnë jashtë, të kenë një lehtësi administrative në mënyrë që të vijnë dhe investojnë biznesin e tyre në Kosovë, sepse ka pak investime. Nuk kemi parë investime strategjike për një vit të Qeverisë Kurti”.

/GazetaSinjali/