image Opozita nuk dëshiron të jetë pjesë e grupit punues për vettingun

Drejtësi

Opozita nuk dëshiron të jetë pjesë e grupit punues për vettingun

news image

Partitë opozitare nuk duan të jenë pjesë e grupit punues për hartimin e koncept dokumentit për zhvillimin e procesit të vettingut  në sistemin e drejtësisë, transmeton Gazeta Sinjali.

Kryesuesi i Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Adnan Rrustemi nga VV-ja, ka propzozuar që Driton Selmanaj nga LDK-ja të jetë në grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin e Drejtësisë.

Por Driton Selmanaj nuk është pajtuar me propozimin e Rrustemit, duke thënë se nuk do të pranoj që të jetë anëtar.

“Përkundër qëllimeve fisnike, Komisioni nuk duhet të përfshihet në këtë fazë, komisioni duhet të përfshihet në fazën kur vije projektligji në Kuvend, por askush nga ky komision nuk më përfaqëson mua në trupa ekzekutive. Bëjë gabim profesional dhe njerëzor nëse them se në këtë fazë po shkoj atje”, ka deklaruar Selmanaj.

Edhe Hajdar Beqa nga PDK-ja ka thënë se nuk është e nevojshme që të përfshihet komisioni në këtë fazë.

“Është mirë që të kemi gjithëpërfshirje, mirëpo në këtë fazë nuk i bëjmë nder as grupit punues nëse përfshihet komisioni jonë, e përkrahim vettingun por duhet ta shohim formën dhe kontributin tonë ta japim kur vjen në Kuvend”, ka shtuar Beqa.

Në këtë mbledhje kanë raportuar edhe nga Akademia e Drejtësisë ku drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, tha se gjenerata e gjashtë dhe e shtatë e gjyqtarëve e kanë përfunduar me sukses trajnimin.

Por Fejzullahu tha se ka pasur regres sa i përket çështjeve ligjore.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka pyetur se Akademia e Drejtësisë a ka planifikuar trajnime për punëtorët e Agjencisë për ndihmë juridike dhe trajnime për procesin dhe lëndët që kanë mbetur nga procesi i privatizimit.

Ndërsa kryesuesi i Komisonit, Adnan Rrustemi, tha se arsye kryesore se pse sistemi gjyqësor është në këtë gjendje ka të bëjë me mos përgatitjen e gjyqtarëve, që siç thotë ai aktakuzat nuk janë të shkruara mirë.

Komisioni ka miratuar me shumicë votash raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë.

Po ashtu, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit ka formuar grupin votues për shqyrtimin e propozimeve për anëtarë të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.

Driton Selmanaj theksoi se disa nga anëtarët Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës kanë masa disiplinore. /Gazeta Sinjali/