image Opozita kritikon Ahmetin për mosrealizim të premtimeve

Politikë

Opozita kritikon Ahmetin për mosrealizim të premtimeve

news image

Asamblistët e LDK-së, VV-së dhe PDK-së në komunën e Prishtinës, e cilësojnë Shpend Ahmetin si një ndër kryetarët më të dobët dhe më të papunë.

Tre asamblistë të këtyre tri partive politike në opozitë thonë që shumë pak nga sa është premtuar është bërë nga ana e kryetarit Ahmeti.

Emine Nikçi-Rexha nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se asnjë nga 100 premtimet e Ahmetit nuk janë realizuar.

Për 100 premtimet e Shpendit do të thotë janë 100 premtimet e famshme të tij por realizimi është zero. Sa i përket përfundimit të mandatit të dytë të kryetarit Ahmeti siç e shohim realizimi i premtimeve të tij veçse ka filluar të bëhen, realizimet janë pothuajse 30% të mandatit dhe kjo është një gjë shumë e keqe për kryeqytetin, çdo kund shihet mospuna e tij”, tha Nikçi-Rexha.

Sipas saj dhe grupit që përfaqëson, kryetari Ahmeti nuk ka realizuar gjërat që i kishte premtuar si kryesore, porse ka bërë vetëm punët e lehta.

“Sipas mendimit tim dhe grupit që përfaqësoj unë pra të LDK-së, kryetari Ahmeti ka realizuar vetëm ato punët e lehta sa për të kaluar dhe për të thënë që ka bërë diçka. Mund të përmend këtu disa nga premtimet e tij. Gjërat esenciale nuk janë bërë, ndriçimi publik në shumë lagje nuk është bërë, çështja e qenve endacakë, linjat e rregullta të trafikut urban mungojnë në shumë lagje, është premtuar renovimi i pallatit të Rinisë nuk ka nisur akoma, është premtuar ndërtimi i fushave sintetike të futbollit as aty nuk ka ndonjë rezultat, dhe këto po mbesin vetëm letra dhe fushatë parazgjedhore dhe mospuna e kryetarit Ahmeti”, thekoi ajo.

Edhe Mirsad Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje thotë që kryetari Shpend Ahmeti është larg çdo pritshmërie të kryeqytetasve të Kosovës, duke cekur këtu mosrealizimin e shumë premtimeve të zotuara nga ai.

“Fatkeqësisht kryetari është larg pritshmërie të kryeqytetasve të Kosovës. Qytetarët e Prishtinës kanë pritur shumë më shumë prej tij, mirëpo fatkeqësisht ai nuk i ka përmbushur premtimet e tij, nuk i ka realizuar të gjitha ato që ai i ka premtuar. Tash jemi në përfundim të mandatit të tij dhe siç e dini Prishtina sot ka probleme të ngjashme me të vitit 2017 ato që ishin e nuk janë realizuar”, tha ai.

Vitia thekson që nga gjitha ato premtimet të kryetarit, as 2/3 e zotimeve nuk janë realizuar.

Në anën tjetër edhe Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se premtimet e zotuara nga kryetari Ahmeti janë në pikën më të ulët të realizimit, me një performancë shumë të ulët të menaxhimit.

“Realisht premtimet e zotuara nga kryetari Ahmeti, janë në pikën më të ulët të realizimit dhe për fat të keq komuna e Prishtinës bashkë me këtë qeverisje renditet në komunat me performancën më të ulët të menaxhimit dhe të qeverisjes së mirë për qytetarët Prishtinës, duke e pasur parasysh që Prishtina është edhe kryeqytet kjo e handikapon jashtëzakonisht jetën e qytetarëve të Prishtinës ku për tetë vite ka pasur një regres në zhvillimin e kryeqytetit”, tha Retkoceri.

Retkoceri thotë që realizimi i shumë projekteve është shumë i dobët dhe të mbetura në letër, pa ndonjë projekt serioz.

Mungesën e Spitalit të Prishtinës, Retkoceri ia vë fajin vet kryetarit Ahmeti pasi sipas tij ai ka vepruar me inate politike duke hezituar për të caktuar një lokacion të propozuar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Situata me pandeminë ka qenë një situatë ku edhe ne si parti opozitare kemi luajtur një rol mbështetës për çdo iniciativë dhe propozim që ka ardh në mënyrë që të mos bllokojmë me votim por të kalojë ajo që të ketë diçka në dobi të qytetarëve, në fillim ka qenë një përpjekje më e madhe e kryetarit të komunës por siç shihet nga fundi nuk kanë qenë fare të vërejtur në aspektin me ballafaqimin me pandeminë, pra kemi parë që Prishtinës jashtëzakonisht i ka munguar projekti kryesor në këtë pandemi, dhe ajo ka qenë mungesa e spitalit të Prishtinës, që kryetari ka hezituar në këtë drejtim për ta caktuar një lokacion të propozuar nga ish-ministri Uran Ismaili, dhe kjo tregon që çdo gjë që bëhet për inate politike e pëson qytetari”, u shpreh tutje Retkoceri. /Gazeta Sinjali/