Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të raporton sot në Kuvendin e Kosovës për kidnapimin e policëve të Kosovës nga Serbia në veri.
Në seancën e stome parlamentare, ata kanë thënë se gjendja në vend nuk është normale dhe kryeministri duhet të flas para deputetëve për këtë gjendje.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, që të kontakton me kryeministrin Kurti për mbajtjen e kësa seance.
“Andaj, i nderuar kryetar unë ju ftoj që ju në emër të Kuvendit të Kosovës të kontaktoni me kryeministrin Kurti që ta ftojmë të vijë sot në një seancë të veçantë për të raportuar se cilat janë veprimet e qeverisë që janë duke i ndërmarr për kthimin e policëve tonë, por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veriun e vendit”, ka thënë Krasniqi.
Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe shefi i Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi.
“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së kërkoj që kryeministri të vije sa më shpejt në një seancë të veçantë raportuese para Kuvendit të Kosovës dhe të raportoj për situatën në veri, për gjendjen e zyrtarëve policorë për aq sa ai ka informacion, për veprimet dhe masat që janë ndërmarr, për arsyeshmerinë e masave dhe veprimeve”, ka thënë Gashi.