Po bëhet një javë prej kur Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillon operacione në kuadër të ushtrimit me amerikanët, i njohur si “Defender Europe 21”, shkruan Gazeta Sinjali.
Objektivi kryesor i komandantit të FSK-së për këtë ushtrim është validimi i kapaciteteve të këmbësorisë në operacionet mbrojtëse, sulmuese dhe për operacionet e stabilitetit të nivelit të kompanisë.
Janë 339 pjesëtarë të Forcës të përfshirë në “Defender Europe 21” që në Kosovë ka filluar më 17 maj.
Urdhrat për në terren lëshohen nga pika në Aeroportin e Gjakovës, aty janë dislokuar trupat që kanë për detyrë kontrollin e operacioneve në terren duke lëshuar udhëzime dhe pranuar raporte për njësitë që janë në terren.
Kosova është në mesin e 16 vendeve pritëse për ushtrimin “Defender Europe 21” që për qëllim kryesor ka rritjen e gatishmërisë operacionale dhe ndërveprueshmërinë mes ushtrisë amerikane dhe vendeve partnere.
“Defender Europe” këtë vit realizohet në Ballkanin Perëndimor, Detin e Zi dhe rajonin e Baltikut, teston të gjitha aftësitë që njësitë e vendeve të NATO-s i trajnojnë gjatë ushtrimeve.
Janë 28 mijë trupa të dislokuara gjithsej në ushtrimin e “Defender Europe 21”, ndërsa në Kosovë përveç pjesëtarëve të FSK-së, ka zbarkuar një njësi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila merr pjesë në mbështetje të validimit të kapaciteteve të këmbësorisë së Forcës.
Ushtrimi më i madh ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili sivjet e ka përfshirë edhe Kosovën, do të ketë ditën kryesore më 28 maj, derisa më 3 qershor do të përfundojë ridislokimi i pjesëtarëve të Forcës nëpër kazermat e përhershme në Kosovë. /Gazeta Sinjali/