Një raport i miratuar nga sekretarja e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman, që bën thirrje për një goditje radikale ndaj atyre që kërkojnë azil është kritikuar nga një organ i OKB-së për “gabime faktike dhe ligjore”.
Braverman shkroi parathënien e këtij raporti, që thotë se “nëse është e nevojshme” Britania duhet të ndryshojë ligjet për të drejtat e njeriut dhe të tërhiqet nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut në mënyrë që të trajtojë çështjen e kalimit të Kanalit me varka të vogla.
Raporti, rekomandon ndalimin pa afat të të gjithë azilkërkuesve që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar “ilegalisht” dhe se ministrat duhet të nxjerrin ligje për ta bërë të pamundur kërkesën për azil për ata që sipas tyre vijnë nga një vend i sigurt.
Si për shembull, shqiptarët. Një ditë më parë ministri britanik i emigracionit Robert Jenrick u shpreh se shqiptarët vijnë nga një vend “që konsiderohet i sigurt”, prandaj ata nuk kanë përse të kërkojnë azil në Angli.
Por organi i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) vuri në dyshim përshkrimin në raport si “të paligjshëm” për njerëzit që kërkojnë azil.
“Nuk ekziston një gjë e tillë si ‘azilkërkues i paligjshëm’. Ndalimi i pacaktuar i atyre që kërkojnë azil, bazuar vetëm në mënyrën e tyre të mbërritjes, do të ndëshkonte njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe do të përbënte një shkelje të qartë të detyrimeve të Mbretërisë së Bashkuar sipas konventës së refugjatëve të vitit 1951”, thuhet në një deklaratë nga UNHCR.
“Qasja në azil nuk duhet të jetë kurrë e varur nga mënyra e mbërritjes ose kombësia. Mënyra e vetme për të përcaktuar nëse njerëzit janë refugjatë është përmes një përcaktimi të drejtë dhe efikas të pretendimeve të tyre”, sipas kësaj organizate, raporton TCH.