Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara thotë se 4.1 miliardë njerëz në botë janë të lidhur në internet.
Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) – agjenci e OKB-së – tha në raportin e publikuar të martën se shifra paraqet 5.3 për qind rritje nga viti 2018.
Përqindja më e lartë e përdoruesve të internetit është në Evropë, me 82.5 për qind, ndërsa më e ulta në Afrikë, me 28.2 për qind, thuhet në raport.
Sipas të njëjtit, 3.6 miliardë njerëz mbeten jashtë internetit dhe shumica e tyre jetojnë në vende më pak të zhvilluara, ku “një mesatare prej 2 nga 10 njerëz është online”.
Raporti thotë se shkalla e grave që përdorin internetin në të gjithë botën është 48 për qind, krahasuar me 58 për qind të burrave.
“Derisa hendeku digjital gjinor është duke u zvogëluar në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura dhe Evropë, ai po rritet në Afrikë, shtetet arabe dhe rajonin e Azi-Paqësorit”, thuhet në raport.
Doreen Bogdan-Martin, drejtore e Byrosë së ITU-së për Zhvillimin e Telekomunikacionit, tha se qeveritë duhet të përqendrohen në hapa “drejt zhvillimit të aftësive digjitale, veçanërisht në botën në zhvillim”.
“Edhe aty ku ekziston lidhja në internet, ne duhet të jemi më kreativë në adresimin e çështjeve kritike, si: përballimi i shërbimeve, kostoja e aparateve, mungesa e aftësive digjitale dhe analfabetizmi, për të aftësuar më shumë njerëz, e veçanërisht gra”, shtoi ajo. /Gazeta Sinjali/