image Oda e Mjekëve kërkon kompensimin e punonjësve shëndetësorë të angazhuar në betejën kundër COVID-19

Shëndetësi

Oda e Mjekëve kërkon kompensimin e punonjësve shëndetësorë të angazhuar në betejën kundër COVID-19

news image

Oda e Mjekëve të Kosovës u ka bërë apel të gjithë institucioneve publike që të vihen në zbatim të plotë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Kosovës.

Kjo odë ka saktësuar kërkesën e saj, duke përmendur nenin 20 të këtij ligji, i cili parasheh kompensimin e punonjësve të institucioneve shëndetësore, të angazhuar në betejën kundër pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky apel erdhi pasi situata pandemike, sipas tyre, është duke eskaluar dhe se kapacitetet infrastrukturore dhe ato njerëzore nuk lejojnë komoditet institucional sa i përket zbatimit të masave parandaluese.

“Krahas nevojës që të rritet rigoroziteti i zbatimit të plotë të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID, Oda e Mjekëve konsideron se është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse, qofshin ato të sistemit profesional shëndetësor apo edhe administrativ, të përfshihen në një fushatë vetëdijësuese lidhur me rëndësinë jetike për t’u vaksinuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Për të qenë efektiv procesi i vaksinimit domosdoshmërisht do të jetë e nevojshme që të menaxhohet me kujdes personeli shëndetësor, gjithherë duke pasur parasysh që tani e dy vjet me radhë personeli është i mbi angazhuar për t’u përballë me këtë situatë sfiduese”, thuhet në komunikatë.

Tutje, ata shtojnë se “menaxhmenti i institucioneve shëndetësore, kësaj radhe duhet të ketë kujdes dhe të përdorë ekspertizë në sistematizimin e personelit shëndetësorë nëpër ‘klinikat Covid’, në atë mënyrë që të mos përsëriten gabimet e valëve të kaluara dhe të dëmtohen shërbimet e tjera të mbingarkuara si emergjencat dhe traumatologjia”.

“Në këtë drejtim, kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të fillojë zbatimin e nenit 20 të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID. Apelojmë popullatës së Republikës së Kosovës, se tani mbi të gjitha është prioritare ruajtja e shëndetit publik dhe ‘shëndeti’ i institucioneve shëndetësore dhe se kjo betejë nuk i takon vetëm punëtorëve shëndetësorë por secilit prej nesh”, thuhet në komunikatë./Gazeta Sinjali/