image Oda e Mjekëve: Për 28 ditë u larguan 42 punonjës shëndetësorë

Shëndetësi

Oda e Mjekëve: Për 28 ditë u larguan 42 punonjës shëndetësorë

news image

Ikja e mjekëve për në vendet evropiane është problemi kryesor me të cilin po ballafaqohet shëndetësia në Kosovë dhe motivimi i tyre nuk është vetëm çështja financiare por janë edhe kushtet e punës dhe mundësitë për shkollim.

Kështu u tha në tryezën me temën “Gjendja aktuale në sektorin e shëndetësisë– Kemi apo nuk kemi sistem shëndetësor funksional? – Kahja e reformës së nevojshme”, të organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Si problematikë kryesore në këtë tryezë u përmend edhe ikja e punëtorëve shëndetësore, ku për 28 ditë u larguan 42 persona.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili tha se si ministri kanë për qëllim që në qendër të vëmendjes të jetë pacienti.

“Duke pasur parasysh se ne e kemi deklaruar transformimin e shëndetësisë së Kosovës se në qendër të vëmendjes do ta ketë pacientin dhe të bëhet në bazë të të dhënave shkencore dhe evidencës së problemeve që i kemi ne sot duhet të jetë e orientuar në hulumtimet shkencore dhe të mos jemi ne vetëm marrës të dhënave shkencore por të jemi prodhues të dhënave shkencore dhe e gjithë kjo duhet të jetë e bashkuar me zhvillimet teknologjike në gjithë aspektin shëndetësorë, jo vetëm të dhënave të kartelës së pacientit por të gjithë elementet e tjera, duhet ta kemi shëndetësinë më të zhvilluar më të përparuar siç e ka bota sot”, tha ai.

Latifi përmendi edhe shtatë shtyllat kryesore të shëndetësisë ku veçoi vetëm edukimin e mjekëve.

“Ne jemi në një fazë kur vërtetë ndihmojmë shumë në rregullimin e shëndetësisë ngase e kemi caktuar 7 shtylla në të cilat ne duhet të fokusohemi për 10-20 vitet e ardhshme dhe më tutje. Me rëndësi është që vetëm një nga më kryesoret që mendoj se është edukimi i mjekëve, edukimi i specializantëve tonë sipas nevojave të shtetit tonë dhe sipas parashikimeve të ekspertëve që çka do të kemi nevojë për vitet e ardhshme”.

Kurse, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se kjo tryezë ka për qëllim gjetjen e problemeve që po ndodhin në shëndetësi. Ai thotë se njëri ndër problemet kryesore në shëndetësi është ikja e mjekëve në vendet e Evropës, pasi që nuk kanë motivimin e duhur, e që sipas tij për 28 ditë janë larguar 42 persona.

“Ne jemi të kënaqur që kemi dhënë 400 specializime, 2 mijë specializime, çka vetëm informata e fundit. Për 28 ditë 42 persona kanë shkuar është shumë e vërtetë ajo se çka ka thënë ministri se nuk mundemi t’i ndalim, por t’i ndalim sa të mundemi, dhe më besoni se në klinikën time ku janë prej 12 në ortopedi 4 nga më të mirët kanë shkuar. Prandaj edhe të rinjtë po ikin që motivimi nuk është vetëm çështja financiare e motivimit, janë kushtet e punës, janë kushtet e ofensivave për shkollim. Ne i kemi shumë mirë me ligj, institucionet publike por edhe shteti duhet t’i sigurojë që të shkojnë edhe jashtë sepse po e them si është e mundur që të dal kardiokirurg i specializuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë ku bëhen vetëm tri procedura”./ KP

/GazetaSinjali/