Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marr vendim që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publik, ku edhe ata duhet ta deklarojnë pasurinë.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë që e mbështesin këtë vendim. Ai në Klan Kosova tha se do të insistojnë që të gjithë pa përjashtim të deklarojnë pasurinë.
“Nëse fokusohemi në një profesion, ose nëse e drejtojmë gishtin në profesionin tjetër, atëherë vetëm mund të kemi kësilloj deklarimesh ose ndoshta edhe irritime, siç është rasti tek deklarata e Federatës së Sindikatave. Nuk dua të kuptoj që kjo është e drejtuar kundër mjekëve, ose se mjekët dhe profesorët janë ata që janë të dyshuar ose të piketuar, por gjithsesi ne do të insistojmë që të gjithë pa përjashtim të deklarojnë pasurinë. Që nga koha kur janë bërë deklaratat e para nuk kam pas ndonjë reagim negativ në këtë drejtim, është diskutuar dhe nuk është pa diçka e jashtëzakonshme. Është pranuar si një çështje normale”, tha ai.
Sejdiu tha që janë pro asaj që të bëhet ligji, por që të vlejë për të gjithë dhe të mos jetë diskriminues. /GazetaSinjali/