image Oda e farmacistëve: Të mos lejohen të hyjnë në barnatore më shumë se 1 person

Shëndetësi

Shëndetësi/ Oda e farmacistëve: Të mos lejohen të hyjnë në barnatore më shumë se 1 person

news image

Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të situatës epidemiologjike lidhur me koronavirusin Covid-19 kërkon nga qytetarët që të respektojnë vendimet e Qeverisë për menaxhimin e situatës dhe rregullat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e personelit shëndetësor me rastin e marrjes së shërbimeve.

Ky komitet me anë të një njoftimi bën të ditur se në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve të Kosovës kanë disa rekomandime për barnatoret në vend, në mesin e të cilave kërkojnë edhe ndalimin e hyrjes në barnatore të dy apo më shumë personave:

  1. Para se të fillohet puna me pacientë të bëhet organizimi i barnatores, pastrimi dhe dezinfektimi.
  2. Të përdoren në mënyrë obliguese dorëzat nga personeli në barnatore.
  3. Në rast se ndonjë pacient i dyshuar ka qëndruar në barnatore, vendi duhet të dekontaminohet.
  4. Të vendoset rendi ashtu që të jenë të përcaktuar qartë distanca në mes të personelit dhe pacientëve/qytetarëve.
  5. Qytetarët të kenë kujdes që të mos qëndrojnë gjatë në barnatore pasi edhe vetë pritjet e gjata në barnatore mund të jenë burim i infeksionit dhe rrezikojnë edhe personelin në barnatore.
  6. Të mos lejohet më shumë se një person brenda barnatores ose shërbimi të bëhet përmes dritareve të kujdestarisë.
  7. Barnatoret të tentojnë të mbajnë stoqe adekuate të produkteve medicinale duke i këshilluar qytetarët që ata të mos bëjnë furnizime afatgjata në shtëpitë e tyre e më tej t’u mbesin si mbeturina medicinale për shkak të kushteve jo-adekuate të ruajtjes apo pas skadimit.
  8. Barnatoret duhet të jenë të hapura përveç në rast se vendoset ndryshe nga Qeveria.
  9. Personeli në barnatore si edhe profesionistët e tjerë shëndetësorë obligohen të jenë në detyrë përveç në rastet kur të dy bashkëshortët janë profesionistë shëndetësorë, njëri mund të lirohet nga detyra.
  10. Në rast se paraqitet ndonjë rast i dyshuar të merren masat e izolimit dhe të ndiqen këshillat sipas udhërrëfyesve të shpërndarë nga OFK

Kujtojmë që pas konfirmimit të katër rasteve të reja me koronavirus, Qeveria e Kosovës shpalli gjendje emergjente. /Gazeta Sinjali/