Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se varianti i ri i koronavirusit i zbuluar për herë të parë në Britani të Madhe në fund të vitit 2020, është përhapur në 70 vende të botës, shkruan Gazeta Sinjali.
Ekspertët besojnë se varianti i Mbretërisë së Bashkuar mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara njoftoi se një variant tjetër i koronavirusit, i zbuluar në Afrikën e Jugut është përhapur në 31 vende tjera.
OBSH-ja tha po ashtu se një variant i zbuluar në Brazil ishte përhapur në tetë vende tjera.
Varianti i identifikuar në Afrikën Jugore përbën shqetësim në veçanti, pasi studimet kanë treguar se ai mund të zvogëlojë efikasitetin e vaksinave që janë tani në treg.
Megjithatë, vaksina e kompanisë amerikane Moderna duket se funksionon kundër varianteve të reja të koronavirusit, të zbuluara në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Afrikën e Jugut, kanë thënë shkencëtarët e kompanisë.
Sipas tyre, testet e hershme laboratorike sugjerojnë se antitrupat që nxit vaksina, mund t’i njohin dhe luftojnë variantet e reja.