Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, ka nxjerr vendim në favor të avokatit Besnik Berisha i cili është përjashtuar nga gjykimi në rastin e Shaban Gogajt, i cili po akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018.
Në vendim thuhet se njoftohet Gjykata Themelore në Pejë, me vendimin e Prokurorit Disiplinor të OAK-së nr.76-8/2021 të datës 01.09.2021, për pushimin e procedurës disiplinore të filluar ndaj avokatit Besnik Berisha.
Njëkohësisht Gjykata Themelore në Pejë është njoftuar se Oda e Avokatëve të Kosovës nuk do të dërgojë avokat sipas detyrës zyrtare në rastin e Shaban Gogajt.
Shaban Gogaj është pa avokat që nga 28 qershori. Ky është rasti i parë në historinë e drejtësisë kosovare që për një vepër të tillë, në paraburgim mbetet pa avokat personi i akuzuar.
IndeksOnline ka siguruar vendimin e plotë të OAK-së:
Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, duke vendosur sipas njoftimit nga Zyra e Prokurorit Disiplinor të OAK-së, lidhur me rastin e Besnik Berisha, avokat me seli të zyrës në Prishtinë, e sipas pikës 7 të rendit të ditës, në bazë të nenit 42 par 1 të Ligjit për Avokatinë dhe nenit 95 par. 1.6 dhe 1.13 të Statutit të OAK-së, në mbledhjen e mbajtur me datë 09.09.2021 merr këtë:
VENDIM
NJOFTOHET Gjykata Themelore në Pejë, me vendimin e Prokurorit Disiplinor të OAK-së nr.76-8/2021 të datës 01.09.2021, për pushimin e procedurës disiplinore të filluar ndaj avokatit Besnik Berisha.
Pika IV e vendimit të Këshillit Drejtues, nr.827-1/2021 të datës 12.07.2021, mbetet në fuqi sa i përket caktimit të avokatit sipas detyrës zyrtare.
Arsyetim
Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me datë 12.07.2021, kishte shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga avokati Besnik Berisha me seli të zyrës në Prishtinë, për trajtimin e rastit të shqiptimit të gjobës dhe përjashtimin nga mbrojtja e mëtutjeshme e të pandehurit Shaban Gogaj në lëndën penale PKR.nr.43/19.
Këshilli Drejtues i OAK-së, pas analizimit dhe shqyrtimit në hollësi të kësaj çështje lidhur me vendimet e marra nga Gjykata Themelore në Peje, për lëndën penale PKR.nr.43/19 dhe kërkesën e avokat Besnik Berisha, kishte vlerësuar se Kryetarja e trupit gjykues në këtë çështje penale ka marrë aktvendime, që dëmtojnë prestigjin dhe nderin e avokatisë, si dhe kufizojnë ndjeshëm ushtrimin e pavarur të profesionit.
Andaj, bazuar në këtë kishte vendosur në pikën e parë të vendimit, që të kërkoj nga Prokurori Disiplinor që ta trajtoj me urgjencë lëndën disiplinore ndaj avokat Besnik Berisha, e po ashtu ishte vendosur sipas pikës 4 që: Oda e Avokatëve të Kosovës, deri në njoftimin nga Prokurori Disiplinor i OAK-së, nuk do të bëje caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në kërkesën eventuale nga Gjykata Themelore në Pejë për këtë çështje penale, për të akuzuarin Shaban Gogaj.
Me datë 20.08.2021 Gjykata e Apelit me Aktvendimin PN.nr.731/2021, përmes së cilit kishte aprovuar ankesën e avokatit Besnik Berisha dhe kishte ANULUAR aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë PKR.nr.43/19 të datës 28.06.2021 duke kthyer çështjen në rivendosje. Gjykata e Apelit kishte gjetur se Aktvendimi i atakuar i shkallës së parë, është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par 1 nën par. 1.12 të KPP-së, sepse nuk janë dhënë arsye të qarta në arsyetim lidhur me shqiptimin e gjobës ndaj mbrojtësit të të akuzuarit. Nga arsyetimi i Gjykatës së Apelit theksohet se vendimi i anuluar përmban arsyetim të përgjithësuar. Me datë 01.09.2021 sipas vendimit nr. 76-8/2021, Zyra e Prokurorit Disiplinor të OAK-së, kishte pushuar procedurën disiplinore të filluar ndaj avokat Besnik Berisha sepse nga provat e administruara nuk është vërtetuar që i njëjti të ketë kryer shkelje disiplinore të përcaktuara me normativën e OAK-së. Në varësi të rrethanave të lartëcekura e në bazë të konstatimeve të tilla, OAK, nuk do të caktojë avokat sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin z.Shaban Gogaj, lidhur me këtë çështje penale në rast të kërkesës eventuale nga Gjykata Themelore në Pejë. Prandaj edhe vendosi si në piken II të dispozitivit të këtij vendimi. Në bazë të asaj që u tha më lartë u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.