Oda e Afarizmit të Kosovës përmes një shkrese i është drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme dhe ka shprehur shqetësimin e saj për mos furnizimin e makinave, kamionëve dhe mjeteve transportuese me targa, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas OAK, ky mos furnizim me targa, i cili po rrjedh si rezultat i mungesës, po i rëndon dhe po i dëmton bizneset vendore, prandaj kërkojmë që me urgjencë të ofrohet një zgjidhje për bizneset.
“Bazuar në ankesat që ne si OAK kemi pranuar, bizneset vazhdimisht janë duke u ankuar për mos pajisjen e mjeteve transportuese me targa, edhe pse ato po obligohen t’i kthejnë tabelat e vjetra që janë me KS, mirëpo nuk po furnizohen me të reja.
Në rastin kur bizneset e vazhdojnë sigurimin e automjeteve dhe i kthejnë tabelat me KS, ato nuk po furnizohen me tabela të reja RKS, çka po i pengon me ato mjete të dalin jashtë kufinjëve të Kosovës”, thuhet në këtë shkresë.
Sipas njoftimit në Facebook nga faqja zyrtare e OAK, thuhet se sektori i transportuesve tash e një kohë të gjatë është duke u përballë me disa sfida, të cilat rrjedhin nga mos anëtarësimi i Kosovës në TIR, e përballja me mungesën e targave vetëm se e rëndon funksionimin e tyre dhe të qenit konkurues në treg.
“E gjitha kjo është një pengesë e madhe ndaj bizneseve vendore për të qarkuluar jashtë vendit, e që gjithashtu po favorizon transportuesit e rajonit, prandaj Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që me urgjencë të reagohet në zgjidhje të këtij problem i cili është prezent dhe barrë e rëndë për bizneset nga muaji Nëntor i vitit të kaluar”, përfundon shkresa.