image “O shef s'kum kunkuru” – Pushteti i Kurtit, aplikon metodat e prontos për bordin e gjykatës së tenderëve

Politikë

“O shef s’kum kunkuru” – Pushteti i Kurtit, aplikon metodat e prontos për bordin e gjykatës së tenderëve

news image

Në muajin mars të vitit të kaluar Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord pasi atij të vjetrit i skadoi kontrata, ndërsa një bord i ri ende nuk është caktuar. Mirëpo ky proces duket se po e sheh ‘dritën në fund të tunelit’, pasi Qeveria Kurti i ka propozuar në kuvend dhjetë kandidatë, tre prej të cilëve nuk kanë kaluar nëpër procedurat e vlerësimit.

“O shef s`kum kunkuru”, zëri i Bahri Hysenit nga përgjimet e ‘Dosjes së Shefave“, ku i thoshte Adem Grabovcit se ai nuk kishte qenë pjesë e garës për bordin e KOSTT-it, është përdorur në shumë protesta të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë.

Atëbotë VV-ja kundërshtonte fuqishëm emërimet në insitucionet e vendit pa meritë e me të njohshëm. Derisa sot në pushtet po dëshmon se është duke aplikuar të njëjtën metodë për anëtarët e bordit të Gjykatës së Tenderëve, shkruan Gazeta Insajderi.

Të mërkurën në propozimin e Qeverisë ishin 10 kandidatë për anëtarë dhe drejtor të OShP-së, por tre nga ta nuk kanë konkurruar fare në konkursin për bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit

Bëhet fjalë për Nita Bejtën, Milot Spahiun dhe Arbnor Tmavën.

Emrat e tyre kanë shkuar në kuvend me propozim të qeverisë edhe pse nuk kishin qenë pjesë e garës sikurse edhe kandidatët Faruk Rexhaj, Dafina Gashi, Kimete Gashi, Vedat Pterqoj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahim dhe Vjosa Gradinaj Mexhuani.

Qeveria e ka arsyetuar propozimin e emrave të tre kandidatëve që nuk kaluan në procedurat vlerësuese të komisionit, me shfrytëzimin e diskrecionin e saj të përcaktuar me ligjin e Prokurimit.

Sipas këtij ligjislacioni, qeveria ka të drejtën e nominimit të disa personave për votim në kuvend, por kjo bie ndesh me kundërshtimet dhe protestat e Vetevendosjes sa ishte në opozitë.

Atëherë kur vazhdimisht kërkonte emërime në pozita publike përmes meritokracisë dhe kalimit nëpër procedura vlerësuese, në mënyrë të pavarur nga pushteti, shkruan Insajderi.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është trup e rëndësishme për marrjen e vendimeve që lidhen me tenderët dhe paranë publike.

Bordi i Gjykatës së Tenderëve, është jofunksional që nga muaji marsi i vitit të kaluar. Që nga viti i kaluar një numër i madh i ankesave të operatorëve ekonomik pjesëmarrës në tenderet publike kanë mbetur pa u shqyrtuar.

Procesi për kompletimin e bordit ka nisr që nga maji i vitit të kaluar, por tentativat dështuan dy herë derisa në dhjetor dhe procesi u anulu dhe u kthye nga fillimi. /GazetaSinjali/