image Numri i madh i nxënësve në klasa, shkolla fillore në Prishtinë punon me tri ndërrime

Arsim

Numri i madh i nxënësve në klasa, shkolla fillore në Prishtinë punon me tri ndërrime

news image

Shkollat në kryeqytet po vazhdojnë të përballen me numër të madh të nxënësve nëpër klasë, ku disa prej tyre janë të detyruar të punojnë me tri ndërrime.

Sipas njohësve të çështjeve të arsimit, kjo situatë ndikon në cilësinë e arsimimit dhe investimet në infrastrukturë duhet të garantojnë organizim të mësimit sipas standardeve. E Komuna e Prishtinës në buxhetin e vitit 2023 ka planifikuar ndërtimin e tri shkollave të reja.

Në shumicën e shkollave në Komunën e Prishtinës paralelet janë të mbingarkuar më nxënës ku numri i tyre sillet rreth 40. E një numër i shkollave janë detyruar që mësimin ta organizojnë në tri ndërrime. Njëra prej tyre është Shkolla fillore “Pavarësia”.

Drejtori i kësaj shkolle, Shefki Rusinovci, i tha Radio Kosovës se me mungesën e hapësirës shkollore përballen që gjashtë vite dhe këtë vit shkollor janë detyruar të hartojnë kalendarin që mësimi të organizohet në tri ndërrime.

“ Ne nuk e kemi sfidën vetëm këtë vit por se paku që gjashtë vite. Kemi bërë kërkese për ndërtimin e një aneksi për të krijuar hapësirë të mjaftueshme që në kushte normale të zhvillohet proces edukativo arsimor. Ky vit është me i ngarkuari dhe na ka detyruar që të nxjerrim një kalendar me tri ndërrime. Edhe pse kështu me tri ndërrime prapëseprapë paralelet janë të ngarkuar me nxënës”, tha Rusinovci për Radio Kosova, përcjell Sinjali.

E, njohës të arsimit, po vlerësojnë se është i nevojshëm ndërtimi i objekteve të reja shkollore. Rinor Qehaja nga Instituti “ Edguard” në një përgjigje për Radio Kosovën, tha se investimet në infrastrukture duhet të bëhen në mënyrë që të garantojnë që numri i nxënëseve mos ta tejkalojë numrin e lejuar.

“ Mbipopullimi i disa shkollave në qendra të mëdha vjen si rezultat i migrimit të brendshëm dhe si i tillë kërkon përgjigje institucionale. Dhe kjo nënkupton që të kemi një rialokim të nxënësve në këto lagje por edhe ndërtim dhe investim në infrastrukturë që do të na garantojë që numri i nxënësve të mos tejkalonte atë të lejuarin në institucionet tona shkollore”, tha Qehaja për Radio Kosova.

Ndërkohë, ditë më parë Komuna e Prishtinës ka votuar buxhetin për vitin 2023 ku është gjatë vitit të ardhshëm, komuna ka planifikuar të ndërtojë edhe tri shkolla të reja, një në Lagjen “Kalabria”, një në Vranidoll dhe për ndërtimin e shkollës “7 shtatori”. Përveç ndërtimit të tri shkollave të reja, Komuna ka paraparë edhe ndërtimin e një aneksi në Shkollën “Pavarësia”.

Një draft dokument i Komunës së Prishtinës tregon se nxënësit e shkollave publike në Kosovë kalojnë më pak se 20 orë në shkollë që është pak krahasuar me vendet e tjera evropiane, ku nxënësit i kalojnë deri në 40 orë duke mësuar në shkollë. Në këtë dokument thuhet se nxënësit e Kosovës kanë më pak mundësi të zhvillojnë aftësitë dhe dituritë e bashkëmoshatarëve të tyre në rajon e Bashkim Evropian.

/GazetaSinjali/