Djegia e mbeturinave në në lagjen “Ali Ibra – Koloni” në Gjakovë po vazhdon çdo ditë dhe banorët e kësaj lagjeje ankohen për ndotjen e ajrit që po shkakton një gjë e tillë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas sinjalizuesve të cilët kanë dërguar fotografi në adresë të Gazeten Sinjali, për shkak të ndotjes së shkaktuar nga kjo djegie, hapja e dritareve në këtë lagje është e pamundur.
“Çdo ditë ka filluar të digjet deponia e mbeturinave në Koloni – Gjakovë, sa që është e pamundur të hapim dritaret e banesës, duke e ditur edhe valën e temperaturave të larta gjatë kësaj jave, është tepër irrituese për qytetarët”, ka thënë njëri nga banorët.
Këta banorë po kërkojnë sqarime nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini, se pse po lejohet të ndodh një gjë e tillë.
Por, pavarësisht ankesave dhe kërkesave të banorëve, kryetari Gjini ka qenë i paçasshëm në telefon. Përveç Gjinit, Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e kësaj komune, Ali Tafarshiku dhe drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrotje të Mjedisit, Arben Bakalli, por të njëjtit kanë qenë të paçasshëm.
Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që banorët e kësaj lagjeje ankohen për këtë çështje. Lidhur me këtë problem Gazeta Sinjali ka raportuar edhe disa ditë më parë./Gazeta Sinjali/