Ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, në T7 ka deklaruar mbrëmë se nuk i kujtohet saktësisht çmimi për të cilin është detyruar të pagujë, që të blejë banesë në lagjen Marigona Hill.
E kjo deklaratë e ministrit Aliu, si duket e ka irrituar nënkryetarin e Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, i cili i ka komentuar deklaratat e Aliut, duke thënë se “këta shesin moral edhe kur të vjedhin“, shkruan Gazeta Sinjali.
Krasniqi thotë se Aliu mbase ka aq shumë para dhe nuk i intereson për çmimin, ose i ka blerë aq shtrenjtë sa që i vije turp të tregojë.
“A ndodhë që keni harru me çfarë çmimi e keni ble banesën, se unë nuk e njoh dikën që ka ble banesë e aq më tepër në lagjet më të shtrenjta të Prishtinës, e nuk e din sa ka kushtu çmimi. E kjo i kallxon dy sene: ose Liburn Aliu paska qaq shumë parë sa që nuk i intereson sa ka kushtu çmimi ose Liburn Aliu i ka ble qaq shtrenjtë ato banesa e i vjen marre me kallxu sa i ka ble“, ka thënë Krasniqi.
Sipas nënkryetarit të PSD-së, Vetëvendosja dhe Qeveria kur vjedhin përsëri mundohen të japin moral, madje edhe publikisht.
“Çka flet kjo për VV. Se ka keqpërdorues që fshehen e nuk flasin e bëjë si me marre keqpërdorimin dhe ka keqpërdorues që jonë edhe ma t’kqi që dalin edhe publikisht dhe pretendoj që kanë kredo morale edhe tentojnë me e mbrojtë keqpërdorimin. Qikjo o VV-ja, këta edhe kur të keqpërdorin dhe vjedhin prap na shesin moral edhe mundohen me dal në tv me na kallxu qysh jonë ma të moralshmit“, ka thënë Krasniqi.