Telashet familjare janë të shpeshta, ku anëtarët përballen me kërcënime, përleshen mes vete apo pësojnë nga kryefamiljari. E këto zënka shpesh herë kalojnë edhe muret e shtëpisë, duke u nevojitur kështu ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që ka ndodhur në fshatin Druar të Vushtrrisë, Prokuroria Themelore ka nisur hetimet.
Sinjali mëson se një i moshuar ka dërguar në adresë të vajzës së tij një mesazh me përmbajtje kërcënuese, ku e paralajmëron se mund të blejë një armë zjarri dhe t’i vrasë të gjithë anëtarët e shtëpisë, e më pas edhe veten.
Rastin në Polici e ka denoncuar djali i 74-vjeçarit, i cili ka thënë se babai i ka thënë motrës së tij se do ia vë zjarrin edhe shtëpisë dhe garazhit.
Bazuar në dëshminë e tij, djali ka pohuar se të gjitha këto kërcënime kanë ardhur për shkak se babai i tij bën jetë të shthurur dhe anëtarët e familjes nuk ia plotësojnë kërkesat që ka.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe konfiskuar një armë gjuetie.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprat ‘Kanosje’ dhe ‘Dhunë në familje’.