image “Nuk ka nevojë më për rroba e ushqim” – ambasadori i Kosovës tregon se për çfarë ka nevojë Shqipëria

Tërmetet/ “Nuk ka nevojë më për rroba e ushqim” – ambasadori i Kosovës tregon se për çfarë ka nevojë Shqipëria

news image

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, thotë se tani në Shqipëri ka nevojë për psikolog e trajtime mjekësore, për personat e prekur nga tërmeti që ka goditur vendin dy ditë më parë.

Ai thotë se njerëzit janë traumatizuar dhe kanë nevojë të trajtohen, e gjithashtu ka nevojë për ekipe që bëjnë vlerësimin e objekteve, në mënyrë që të dihet se cilat janë të qëndrueshme për banim.

Në një intervistë për KP, Hasani ka përsëritur kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë, që të mos dërgohen më ndihma me ushqime dhe rroba, dhe sipas tij, ka nevojë për trajtime mjekësore.

“Tash për tash këtu kemi nevojë për mjek, edhe psikologë sepse njerëzit janë në panik. Gjithashtu nesër do të vjen ekip tjetër e specializuar për matje të objekteve, a janë të qëndrueshme apo jo, cilat objekte mund të kthehen për banim, ose nuk mund te kthehen për banim”, thotë Hasani.

Hasani thotë se ka nevojë të bëhet e ditur qëndrueshmëria e objekteve, ndërkohë tregon se nesër edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të dalin në teren për të bërë vlerësimet.

“Tash këtu është një ekipe prej disa personave të Forcës se Sigurisë së Kosovës, që është Ushtria e Kosovës dhe nesër do të dalin në terren me shtabin emergjent që është këtu. Nesër është ministri këtu, ai është i organizuar në shtabin emergjent në Durrës. Janë vlerësime që duhet bëhen dhe të shohim cilat janë mundësitë tutje. Ne jemi të gatshëm t’u dalim në ndihmë bashkëkombësve tonë të një gjuhe e të një gjaku”, thotë ai.

Tërmeti që goditi Shqipërinë dy ditë më parë, shkatërroi rreth pesë lokacione në Durrës dhe të tjera ndërtesa në Thumanë.

Lëkundjet e mëdha që shembën objektet, kanë zënë nën rrënoja shumë persona, prej të cilëve mbi 40 deri tani kanë humbur jetën, ndërkohë mbi 600 të tjerë kanë marrë lëndime.

Pas shkatërrimit të shtëpive, shumë familje po qëndrojnë në tenda në disa kampe që janë krijuar në këto vende, ndërkohë shumë të tjerë po kanë frikë të qëndrojnë në ndërtesat e tyre të banimit, për shkak të tërmeteve të njëpasnjëshme.