image Nuk ka më "Shiko Kush LUAN", e konfirmon vetë Luana Vjollca

Bota e Yjeve

Nuk ka më “Shiko Kush LUAN”, e konfirmon vetë Luana Vjollca

news image

Luana Vjollca ka ndarë rrugët me ‘’Top Channel’’ pas 15 vitesh bashkëpunim!

Njëra nga prezantueset më të njohura shqiptare dhe njëra nga femrat më të ndjekura në rrjetet sociale, është larguar nga shtëpia mediatike ku filloi karrierën, e cila sot pas një dekadë e gjysmë është me plot suksese.

Këtë lajm e dha pak minuta më parë nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, vetë Luana.

Nga ky sezon nuk gjendem nën logon e Top Channel (i cili, do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite). Prandaj, si rrjedhojë, këtë sezon të shtunën mbrëma nuk do ta ndajmë bashkë duke luajtur, qeshur e argëtuar me “Shiko Kush LUAN”“, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Nuk e paskam dit’ sa shumë qenkemi dasht’!

Dashni pa kushte, dashni e madhe, dashni e vërtetë, e njëjtë nga të dyja palët: Unë dhe Ju.

Për Ju që më pyesni e më shkruani qindra e mijëra herë gjatë ditës “Kur do të rikthehesh në TV”- e kërkoni këtë me ngulm gati-gati në protestë…WOW ça ndjesie! Qenka dasht’ me u ndal pak, me pas kohë me përjetu dashninë tuaj, me kuptu sa e fortë dhe e vërtetë qenka kjo dashni, me reflektu tek vetja që vërtetë kam punuar shumë shumë shumë fort për kaq e kaq shumë vite por ia paska vlejt’ barra qeranë.

Arritja më e madhe në këtë profesion qenka kur njerëzit t’i marrë malli për ty në ekran – aq shumë sa të merr ty malli për duartrokitjet e tyre!

Ndjej për detyrim të ndaj me Ju publiku im, ju që keni qenë pjesë e rrugëtimit tim televiziv, ju që më keni komplimentuar, kritikuar, dashur e urryer… Secili prej jush ka kontribuar në formimin tim artistik.

Duke e marrë këtë konfirmim kaq të madh që ju kam në krahë në çdo hap më ka lehtësuar peshën e vendimeve ndoshta edhe pa dëshirën e plotë, por për shkak të rrethanave dhe arsyeve madhore, për të cilat nuk do të doja të flisja, ashtu siç kam zgjedhur përherë…

Nga ky sezon nuk gjendem nën logon e Top Channel (i cili, do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite). Prandaj, si rrjedhojë, këtë sezon të shtunën mbrëma nuk do ta ndajmë bashkë duke luajtur, qeshur e argëtuar me “Shiko Kush LUAN”.

Tani, prioriteti im është një projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri im i brendshëm, i cili dua fort të shërbejë edhe si zëri i secilit prej jush, për të tejkaluar çdo sfidë të jetës. #Thuaje

Mirëpo, assesi nuk do t’iu lë në baltë, ashtu siç e di që Ju s’do të më linit kurrë mua.

Paralelisht jam duke punuar për të qenë sa më shpejt afër jush me programe argëtuese, çdo të shtunave mbrëma, sepse tradita jonë mund të vonojë por nuk do të mungojë, PREMTOJ!

Gjithmonë e juaja,

Luana Vjollca”

/GazetaSinjali/