Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ia ka përsëritur partisë së Isa Mustafës, qëndrimin e deputetëve gjermanë për çështjen e presidentit, temë kjo që po i lë pa marrëveshje LDK-në e LV-në.
Deputetët gjermanë në Kosovë patën mesazhe të qarta për LDK-në e VV-në e për koalicionin, derisa e përcollën në vend edhe një qëndrim për Lidhjen Demokratike të Kosovës, që është duke insistuar për postin e presidentit.
Dy deputetët pas takimit me Kurtin e Mustafën thanë se nuk është koha që tani të zgjidhet presidenti, por të formohet qeveria.
Ky qëndrim është pranuar mirë nga partia e Albin Kurtit. Nga kryesia e VV-së, Albulena Haxhiu, ka shkruar në Facebook se ajo që thanë deputetët është mesazh i qartë.
“Mesazh i qartë. Tash për tash nuk është koha që të zgjidhet presidenti por të formohet qeveria”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë që LDK-ja e LV-ja kanë ngrirë bisedimet tash e një javë pasi që nuk po mund të dakordohen për postin e presidentit./Gazeta Sinjali/