image "Nuk e dinim se do të shndërrohej në natën më të tmerrshme të jetës tonë", kosovarja që e përjetoi sulmin në Vjenë rrëfen makthin e asaj nate

Kosovë

“Nuk e dinim se do të shndërrohej në natën më të tmerrshme të jetës tonë”, kosovarja që e përjetoi sulmin në Vjenë rrëfen makthin e asaj nate

news image

Ermira Jerliu nga Gjilani tash e dy vite po qëndron në Vjenë të Austrisë, ku edhe është duke përfunduar studimet master atje, shkruan Gazeta Sinjali.

Të hënën e dy nëntorit ajo po mendonte se ishte duke kaluar si një ditë të zakonshme deri në momentin ku pas ligjëratave doli për kafe me shoqet e saja në një lokal të Vjenës. Kjo ditë asaj iu shndërrua në një makth të vërtetë, pasi atë natë në atë pjesë të qytetit ndodhi një sulmi terrorist në të cilin pesë persona humbën jetën, kurse 15 të tjerë u plagosën.

Ermira Jerliu, fotografia e së cilës po qarkullon nëpër media vendore dhe botërore, ka rrëfyer për Gazetën Sinjali në detaje se si ajo dhe shoqet e saja e kanë përjetuar nga afër sulmin terrorist dhe si ia dolën që të shpëtojnë nga aty ku po zhvillohej një betejë mes jetës dhe vdekjes.

“Ka qenë një ditë e zakonshme, pasi mbarova angazhimet studentore, pasi jam një studente e nivelit master në Universitetin e Vjenës, vendosëm me dy shoqet e mia të bëjmë një shëtitje në qendër të qytetit, më saktësisht u ulëm në një nga kafet në sheshin kryesor të Vjenës, pas përafërsisht 15 minutash qëndrimi, kemi dëgjuar të shtëna dhe zhurma të tmerrshme, ku si pasojë është krijuar panik i madh te të gjithë njerëzit që ndodheshin aty, e që vlen të përmendet se ka qenë një numër shumë i madh i njerëzve të moshave të ndryshme, pasi ishte nata e fundit para se të fillonte karantinimi, i cili hynte në fuqi nga sot (e martë) dhe njerëzit kishin dalë ta shfrytëzonin natën e fundit të lirë pa e ditur se kjo natë do te shndërrohej në natën më të tmerrshme të jetës tonë”, ka thënë Jerliu për Gazetën Sinjali.

Ajo ka thënë se në momentin që kanë dëgjuar të shtëna kanë filluar që të vrapojnë pa e ditur se nga t`ia mbajnë.

“Pasi kemi vrapu në rrugë të ndryshme, pa ndonjë destinacion dhe pa e ditur se çfarë është duke ndodhë, kemi përfunduar në një lokal të ushqimit të shpejtë ku edhe jemi strehuar në podrum, aty kemi qëndruar përafërsisht dy orë dhe kemi qenë diku 30 persona. Përgjatë këtyre orëve kemi dëgjuar të shtëna e zhurma të frikshme dhe nuk e dinim nëse jemi të sigurtë ose jo”, shtoi ajo.

“Pas kësaj kohe jemi njoftuar se duhet ta lirojmë lokalin dhe të shkojmë nëpër shtëpitë e tona sa më shpejtë që ishte e mundur, mirëpo këtë rrugëtim e ka bërë tejet të vështirë mungesa e një mjeti transportues, pasi që transporti publik ishte i ndaluar dhe taksitë nuk guxonin të afroheshin në atë pjesë të qytetit, në këto rrethana kemi vendosur të shkojmë në këmbë deri në një pjesë tjetër të qytetit ku i dashuri im kishte arritur ta bindte një taksi të na priste. Gjatë këtij rrugëtimi kemi qenë vërtetë të rrezikuara sepse sulmuesit ndodheshin ende të lirë dhe të shpërndarë dhe çdo veturë që kalonte na jepte përshtypjen se mund të ishte veturë e sulmuesve ashtu siç pritej”, deklaroi ajo.

Jerliu ka thënë se nuk ka pasur njohuri që gjatë kohës sa ishin duke vrapuar dikush i ka fotografuar.

“Ne këtë pjesë të rrugëtimit jemi fotografuar nga një fotograf/e qe unë në ato momente as nuk e kam parë, pasi shihet edhe në foto se sa të terrorizuara ishim. Ishim duke vrapuar drejt një rrugë pa destinacion por me një qëllim, të dilnim gjallë nga aty”.

Sipas saj, Ambasada e Kosovës në Austri nuk e ka kontaktuar për ta pyetur për gjendjen në të cilën është.

“Përderisa në Kosovë shumë media na kanë identifikuar dhe na kanë kontaktuar, gjithashtu shumë revista me famë botërore e kanë shpërndarë foton tonë, ne për fat të keq nuk jemi kontaktuar nga Ambasada e Kosovës në Austri”.

“Çfarë kam mësuar nga kjo ngjarje është se këto lloj sulmesh nuk përfaqësojnë fe, shtet ose kombësi, janë ideologji ekstreme të njerëzve të pashpirt. Uroj që ky sulm të jetë i fundit dhe shpresoj që të gjithë shqiptarët që kanë qenë pjesë e këtij tmerri të natës së mbrëmshme të jenë mirë”, ka përfunduar Jerliu rrëfimin e saj për Gazetën Sinjali.

Dyshohet se njëri nga sulmuesit e asaj nate është 20 vjeçari Kujtim Fejzullai nga Tetova.

/Gazeta Sinjali/