Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka folur sërish rreth ndryshimeve që janë bërë në qytet, sidomos sheshi i ri i hapur në rrugën “George Bush”.
Rama ka thënë se rruga do të hapet nga 8 janari për trafikun urban, autobusë, taksi e raste emergjente, por jo për vetura private.
“Te katedralja deri më 8 janar do të jetë shesh, pra pa qasje të asnjë makine. Nga 8 janari hapet për trafikun urban, pra autobusët dhe taksitë, normal që rastet emergjente si ambulancat, policia, zjarrfikësit dhe të tjerët kanë qasje në çfarëdo kohe.” – tha ai.
Sipas Ramës, këto ndryshime ai i kishte paralajmëruar edhe në programin elektoral.
“E kam thënë edhe gjatë kampanjës që synimi ynë është që këmbësori të jetë i pari, trafiku urban, ai alternativ si biçikleta dhe trotinete i dyti dhe makinat të tretat.” – ka deklaruar kryetari i Prishtinës në Klan Kosova.