image Nuhiu: Jemi përgatitur si ekip, e dimë se çfarë skuadre është Feynoordi

Futboll

Nuhiu: Jemi përgatitur si ekip, e dimë se çfarë skuadre është Feynoordi

news image

Nesër me fillim nga ora 21:00, skuadra nga Gjilani, Drita do të zhvillojë ndeshjen e parë si vendase kundër gjigantit holandez Feyenoord, takim ky i vlefshëm për raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League.

Para ndeshjes së nesërme, trajneri i Dritës Ardijan Nuhiu doli në një konferencë për media, ku tregoi njohuritë e tij dhe të lojtarëve për klubin e Feyenoord-it, e po ashtu edhe çka pret nga ta.

Fillimisht, Nuhiu u pyet se cilat janë njohuritë e tij për klubin e Feyenoordit, dhe se si ndihet që do të ketë një kundërshtarë si Feyenoordi, një nga kundërshtarët më të mëdhenj që ka ateruar ndonjëherë në Kosovë.

“Do të jetë një eksperiencë e mirë për neve, si për mua si trajner ashtu edhe për ekipin tim, sepse më vjen mirë që po këta futbollistë arritën që të sjellin një skuadër po aq të madhe siç është Feyenoord. Do të jemi në përparësi sepse ne dimë gjithçka për Feyenordin, sepse përveç tash që e kemi analizuar si kundërshtar, përpara kemi ndjekur dhe e kemi përcjellë, dimë për sukseset e Feyenoordit si në kampionatin e tyre ashtu edhe në garat ndërkombëtare. Kemi analizuar shumë ndeshje të tyre, si në aspektin grupor, ashtu edhe në aspektin individual të çdo futbollisti”, tha Nuhiu.

Më pas, Nuhiu tregoi edhe lojtarin më të rrezikshëm që skuadra e tij do të ketë kundërshtarë nesër.

“Tash mendoj që dy krahët janë shumë lojtarë të rrezikshëm, si Sinisterra ashtu edhe Linssen, njashtu edhe në mesfushë kane Kokcu, një lojtar shumë teknik, i cili po ashtu edhe vrapon shumë”.

Trajneri i klubit gjilanas Nuhiu, po ashtu foli edhe për skuadrën e tij Dritën, duke u shprehur që gjilanasit nuk duhet ta përjashtojnë befasinë në ndeshjen e nesërme.

“Është sportive që të shpresojmë, jemi të përgatitur si ekip. Në futboll, e dimë që gjithmonë ndodhin befasi, e dimë që kemi një kundërshtar shumë të fortë realisht, por në asnjë moment nuk do të dorëzohemi. Do të vlerësojmë kundërshtarin mirëpo asnjëherë nuk do ta nënvlerësojmë edhe kualitetin tonë që kemi. Duhet te jemi të kujdesshëm, e dimë që ndeshja don shumë vrap, por presim dhe të shohim nesër”, tha Nuhiu.

Para konferencës për media të skuadrës së Dritës, po ashtu edhe trajneri i gjigantit holandez Feyenoord Arne Slot për media ka treguar përshtypjet e tija që i ka ndaj Dritës, duke e cilësuar edhe takimin si një ndeshje jo të lehtë, pasi që kjo e fundit zhvillon futboll të mirë me kundërsulme të shpejta.

Ndeshja e nesërme do të zhvillohet në kryeqytet, në stadiumin “Fadil Vokrri” në praninë e gjithsej 3,500 tifozëve. /Gazeta Sinjali Sporti/