Lazio ka arritur fitoren e parë në këtë sezon në Europa League, transmeton Sinjali Sport.
Bardhekaltërit fituan me lehtësi ndaj Lokomotivës së Moskës me rezultat të pastër 2-0.
Shqiponjat i realizuan golat në pjesën e parë, me anë të Toma Basic në minutën e 13-të dhe në të 38-ën me Patric Gabarron.
Në këtë fitore të italianëve merita kishin edhe tre futbollistët shqiptar, Thomas Strakosha dhe Elseid Hysaj mbajtën portën e paprekur në 90 minuta që luajtën, si dhe reprezentuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, që luajti nga minuta e 42-të, pasi u lëndua Ciro Immobile.
Me këtë fitore vendasit ngritën në pozitën e dytë të Grupit E, kurse mysafirët me një pikë janë të fundit në renditje.
Pas përfundimit të kësaj sfidë, sajti “Sofa Score” ka publikuar notat e futbollistëve.
Golashënuesi i dytë, Patric, u vlerësua me notën më të lartë 8.2, derisa me 8.1 u notuan, Luis Alberto dhe Felipe Anderson.
Elseid Hysaj nga shqiptarët kishte notën më të lartë 7.7, pas tij Strakosha me 7.4 dhe Muriqi me 6.8.
Më i dobëti në këtë ballafaqim ishte mesfushori rus, Konstantin Maradishvilli me notë 6.0.