Kreditë e shpejta, por fatale për xhepat e shumë qytetarëve që lëshoheshin nga “Iute Credit” dhe “Monego”, janë ndalur sot nga Banka Qendrore e Kosovës, e cila ka vendosur që t’ua vë drynin këtyre dy institucioneve mikrofinanciare.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka treguar sesi “Iute Credit” dhe “Monego” kanë shfrytëzuar kushtet e vështira financiare të kosovarëve, duke aplikuar kredi të shpejta me norma të pabesueshme të interesit. Veprimtaria e tyre në këtë formë ka vazhduar deri tash, përkundër gjobave të shqiptuara dhe urdhrit të dhënë nga BQK-ja.
“Në rastin e “Monegos” rreth 26% është paraparë norma e interesit, ndërkaq ata kanë apliku norma të interesit 80 deri në 236% mbi normën e planifikuar. Edhe licencat kur i kanë marrë, ne kemi menduar që do të sjellin diçka të re në treg, do ta plotësojnë qasjen në financa, e që ka ndodhë e kundërta. Në rastin e Iute Creditit norma e planifikuar e interesit ka qenë 34%, ndërkaq ka shkuar shumë shumë më lart”, ka thënë Mehmeti.
Madje, ai ka përmendur një rast të një kredie të lëshuar nga “Iute Credit” me normë rekorde të interesit. “Deri në 1,000 ka shkuar norma e interesit për një rast”.
Guvernatori ka thënë se këto dy institucione mikrofinanciare gjithashtu kanë aplikuar norma të interesit shumëfish më të larta në kreditë e lëshuara, pa e paraparë atë në dokumentacionin e aplikimit të klientëve.
“Kanë apliku gjithashtu norma të interesit shumëfish më të larta nga normat që këto institucione kanë paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi. Këto norma kanë qenë jashtë çdo standardi në qoftë se i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre insititucioneve dhe nëse i krahasojmë në raport me normat e interesit të kredive që aplikohen për institucionet tjera financiare në vend”, theksoi Mehmeti.
BQK në vazhdimësi kishte marrë masa ndaj menaxhmentit dhe drejtorëve të “Iute Creditit” e “Monegos”, tregon Mehmeti. Masa e fundit, ka qenë një urdhër, mosrespektimi i së cilit ka çuar në mbylljen e këtyre dy institucioneve mirkofinanciare.
“Ne i kemi monitoru nga afër. Ndaj këtyre institucioneve në vazhdimësi kemi marrë masa. Kemi bërë përpjekje që me masa administrative t’i shtyejmë që t’i rregullojnë këto probleme, por ato nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mosgadishmërisë së këtyre institucioneve për t’i bërë korrigjimet e nevojshme. Masat e marra kanë qenë vërejtje me shkrim për menaxhmentin, vërejtje me shkrim për drejtorin, masa ndëshkuese në vlerë monetare, urdhër që të vijnë në kërkesat dhe pretendimet me të cilat kanë aplikuar në planin e tyre të biznesit, gjegjësisht në bazë të së cilave ata kanë marrë edhe licencat. Masa e fundit ka qenë urdhëri nga Banka Qëndrore e Kosovës, që nuk është respektu. Kjo na ka shtyrë që të ndërmarrim veprime të tilla”, ka treguar Mehmeti.
Sipas vlerësimit të guvernatorit, veprimtaria e këtyre dy institucione mikrofinanciare ka rrezikuar stabilitetin financiar në Kosovë.
“Ne vlerësojmë se kanë dështuar që t’ia sjellin tregut ato rezultate të pritura nga ana jonë dhe njëkohësisht, veprimtaria e tyre ka rrezikuar aftësitë paguese të huamarrësve dhe njëkohësisht ka paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar në vend. Ata e kanë shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të një pjese të madhe të qytetarëve”, është shprehur Mehmeti.
Guvernatori ka theksuar se BQK-ja nuk do të lejojnë operimin në Kosovë të institucioneve të cilat nuk zbatojnë kërkesat rregullative dhe ligjore. /Gazeta Sinjali/