Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të takohet sot me kandidatin për kryeministër që doli i pari në zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor të vitit të kaluar, Albin Kurtin. Por e kaluara e tyre lidhet shumë mes njëri-tjetrit, ndonëse në publik nuk janë parë asnjëherë së bashku.
Madje kur Kurti ishte pyetur për raportet me Thaçin ai i kishte quajtur fantastike, me arsyetimin se nuk ekzistojnë raportet fare, raporton Gazeta Sinjali.
Hashim Thaçi kishte kaluar në akuza të rënda ndaj Kurti në të paktën dy raste. Njëra e lidhte Kurtin me organizatë terroriste dhe tjetra si njeri i Rusisë.
“Mendoj që njeriu kur deklaron diçka duhet të bazohet në fakte. Po e shoh që spo i hiqet prej obsesionit emri im, por edhe unë para jush po i a bëj disa pyetje. Me e pyet z.Kurtin për ekipet e tij të rregullta politike të Vetëvendosjes, që i dërgon në Stamboll, për trajnime, organizime dhe financimet që i marrin. Është mirë që dikush prej jush me e pyet për to. Të rregullta mujore. Gjithashtu le të ju tregoj juve dhe mund ta pyesni kush është ai individë nga Irani i cili ia financojë partinë. Nëse ai nuk dëshiron me u përgjigj le ta pyet Glaukun, nëse nuk përgjigjet edhe ai pyetni familjarët e tij. Përgjigjen ata e dinë, e di edhe unë, por le t’i tregojnë edhe gjithë Kosovës”, kishte thënë Thaçi.
“Gjithashtu lideri i VV duhet të përgjigjet edhe për njerëzit e Putinit të cilët i ka instaluar në Ballkanin Perëndimor, emri i të cilit lakohet ndonjëherë, në vende të ndryshme të Ballkanit dhe jashtë.”, kishte deklaruar ai.
Një tjetër akuzë që Thaçi i kishte bërë Albin Kurtit kishte qenë ajo me “Syrin e Popullit”. Thaçi përgjegjës për organizatën terroriste që kishte në plan vrasjen e tij, e kishte bërë Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën.
“Nuk i kam kthyer sepse kam pasur informacione nga miq që e njohin se ai nuk din të shkruajë, por pastaj kam pranuar informacione se pas kësaj organizate kriminale qëndron Sadri Ramabaja, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti”, kishte deklaruar Thaçi.
Në anën tjetër Albin Kurti gjatë gjithë karrierës së tij politike ka qëndruar në opozitë. Ai në vazhdimësi kishte akuzuar Hashim Thaçin për gjendjen në vendin tonë.
Përplasja e tyre e fundit kishte qenë lidhur me idenë e Thaçit për shkëmbim territoreve. Ai në këtë pikë, e kishte quajtur Thaçin “president Pinokio”.
“Një zgjerim i rrenave, jo i territorit. President Pinokio”, kishte thënë Kurti për Thaçin.
Partia që drejtohet nga Kurti kishte organizuar edhe protesta kundër idesë së Thaçit për ndryshim të kufijve. Nën moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, Kurti kishte përdorur edhe fjalë të tjera ndaj Thaçit.
Ideja e shkëmbimit të territoreve, për Kurtin ishte inspirim që ta quajë Thaçin me emra të ndryshëm. Nga “kriminel” e “zhvatës”, ai e kishte quajtur të parin e vendit edhe “president qyqe”.
“Ne duhet të angazhohemi për protesta dhe ta ndalojmë qëllimin e Thaçit, për ta ndalur shitjen e Kosovës. Jo të na ndryshojë kufijtë një kriminel që është i shquar për dallavere me Serbinë. Nuk mund të lejojmë një president qyqe dhe as një kryeministër zhvatës. Ne duhet të angazhohemi për Republikën e tretë e që është Republikën e punësimit e të drejtës”, kishte deklaruar Kurti, raporton Gazeta Sinjali.
Pasi e refuzoi tri herë me radhë ftesën e presidentit Hashim Thaçi, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vendosur ta caktojë vetë datën për takimin në të cilin do të flitet për mandatarin e qeverisë së ardhshme.
6 janari i propozuar nga Vetëvendosja, duket të jetë në rregull edhe për presidentin, pasi i njëjti përmes një shkrese zyrtare i është përgjigjur pozitivisht ofertës për takim. Ky takim pritet të fillojë prej orës 15:00/Gazeta Sinjali/