Pak ditë më parë, Gazeta Sinjali ka raportuar për një incident që ka ndodhur në Ferizaj, ku si pasojë e një aksidenti në trafik, tre shtetas kosovarë dyshohen se kanë rrahur keq një shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Sinjali mëson se në kuadër të zhvillimeve hetimore lidhur me rastin, është zbuluar se njëri nga të dyshuarit, Flamur Muhaxheri, dyshohet se ka shtënë edhe me armë zjarri. Kjo pasi që në vendin e ngjarjes në fshatin Balaj, janë gjetur tri gëzhoja që dyshohet se janë të armës që u përdor në rast.
Muhaxheri ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet dhe i njëjti ka thënë se armën të cilën e përdori e kishte fshehur.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovouar kërkesën e Prokurorisë kompentente për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Muhaxherit. I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale ‘Lëndim i rëndë trupor’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.
Por si ndodhi i gjithë rasti?
E gjithë ngjarja ka ndodhur të dielën në rrugën “Besim Rexhepi” në Ferizaj, me ç’rast katër persona u arrestuan, tre prej të cilëve sulmuan brutalisht të dyshuarin tjetër, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur se katër të dyshuarit janë Naim Bajrami (shtetas i Maqedonisë së Veriut që ishte në njërën veturë dhe tre të dyshuarit Arif Muhaxheri, Flamur Muhaxheri dhe Valon Muhaxheri që ishin në veturën tjetër.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur në orët e pasdites pasi dy veturat janë aksidentuar dhe shtetasi i Maqedonisë iku nga vendi i ngjarjes. Ky veprim mllefosi të dyshuarit në veturën tjetër, të cilët u vunë në ndjekje të të dyshuarit Bajrami, derisa arritën ta ndalin në rrugën “Besim Rexhepi”.
Tre të dyshuarit e rrahën keq atë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për çka i njëjti u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.