Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në rrugën “Medlin Ollbrajt” në Pejë, i cili dyshohet se të enjten ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet e saj brenda prokurorisë se i dyshuari ka sulmuar me shishe birre dy policë në lokalin “Shisha Bar Havana”.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Gashi tha se policët kishin shkuar në lokalin në fjalë, me kërkesë të inspektorëve sanitarë, për shkak se numri i mysafirëve kishte tejkaluar numrin e lejuar me masat antiCOVID.
“Po, para dy ditëve ka ndodhë. Ua kanë thy shishen para këmbëve. Aty ka qenë numri i madh i mysafirëve. Njëri prej tyre ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe u çu dhe e ka thy shishen para këmbëve të policëve dhe të tjerët kanë kundërshtu pak”, tha Gashi.
Sipas Gashit, gjendja shëndetësore e policëve është e mirë.
Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari ka pranuar ndihmë mjekësore, për shkak se ka qenë në gjendje të dehur dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt./Gazeta Sinjali/