Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit B.L., shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikim i parasë nga neni 296 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur – Ilir Bytyqi, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar faktin se i mituri tani madhorë, më 15.02.2021, në Han të Elezit në një Qendër Tregtare, duke e ditur se paraja është e falsifikuar, ka vënë në qarkullim gjegjësisht ka blerë me bankënotën prej 500 euro, cigare dhe “red bulla”, në vlerë prej 28 euro dhe pasi ka pranuar kusurin është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më 16.04.2021 në vendkalimin kufitar në Han të Elezit është ndaluar nga ana e policisë”, thuhet në njoftim.
Gjykata kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të miturit tani madhorë, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
“Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të miturit që të mbrohet në liri apo caktohet ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, andaj po të gjendej në liri, do të ekzistonte rreziku real dhe potencial që do të shpinte deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Gazeta Sinjali/