Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me iniciale M.M. nga Prizreni, për shkak dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosje dhe veprën penale dhunë në familje.
“Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 07.11.2019 dhe do të zgjasë deri më datën 06.12.2019”, thuhet në njoftim.
“Ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit, nga neni 187 par.1 nën par 1.2., pika 1.2.3, duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale nga i dyshuari i cili e ka kanosur nënën e tij si dhe në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj familjes së tij, duke pasur parasysh këto rrethana si dhe sjelljet e mëparshme të pandehurit i cili është i regjistruar edhe si kryerës i veprave tjera penale ekziston rreziku se i njëjti mund të përsëris këtë vepër penale ndaj nënës së tij apo edhe familjarëve të tjerë si dhe të përfundoj të njëjtën vepër penale për të cilën është kanosur ta kryej”, përfundon njoftimi./Gazeta Sinjali/