Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit ndaj katër të arrestuarve lidhur me grabitjen e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi javën e kaluar suharekasit. Kjo grabitje ishte planifikuar si në filma, ku grabitësit mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën. Gjatë operacionit të Policisë për kapjen e të dyshuarve mbeti i vrarë Dukagjin Gashi, teksa u arrestuan katër të tjerët, raporton Gazeta Sinjali.
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se për të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“I. B.B., II. B.I., dhe III. L.C., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë veprën penale Grabitja, nga neni 374 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dhe, T.B., për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. të KP-së”, thuhet në njoftim.
“Të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., më datë 22 nëntor, në ora 15:45min në qytetin e Suharekës, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos 2“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A.B:, me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që të pandehurit B.B., B.I., K.G., D.G., dhe L:C., që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa ……., largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., arrestohen nga Policia. I pandehuri, T.B., më datë 30 nëntor,2023 në Prishtinë, pikërisht në shtëpinë familjare të të pandehurit T.B., gjatë bastisjes së shtëpisë nga ana e Policisë, me urdhër së procedurës paraprake Policia ka gjetur një (1) revole Zorki, ngjyrë e zezë modeli M-906-T 9mm, dhe një fishek kalibri 7.62 X 39mm dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.6mm dhe BS end B, të cilën i pandehuri e ka mbajtur në pronësi dhe në posedim, në kundërshtim me Ligjin për armë”, thuhet tutje në njoftim.
Çka dihet për rastin deri më tani?
Dy vëllezërit Gashi, Dukagjini që u vra dhe Korabi që po kërkohet nga Policia, dyshohen për përfshirje në grabitjen e armatosur, me një plan të detajuar, duke vepruar si grup kriminal edhe me dy të dyshuarit e tjerë.
Si rezultat i hetimeve, fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe u zhvilluan bastisjet.
Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Gjatë zhvillimit të operacionit policor, i dyshuari kryesor, tashëm i ndjerë, Dukagjin Gashi, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor.
Zyrtarët policorë, sipas Polciisë, në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të njëjtitn, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar, në mesin e të cilëve Bujar Basha dhe Leotrim Cakolli.
Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër, vëllai i të vrarit, Korab Gashi, ende gjendet në kërkim policor.
Zyrtarit policor, që pësoi plagë i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.
Ashtu siç raportoi Sinjali, personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.