Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “sulm seksual” dhe “sulm”, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjyqtari i procedurës, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 22.11.2020 deri me datën 22.12.2020.
Gjyqtari po ashtu pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.
Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, dhe se hetimet janë në fazën fillestare, gjithashtu në vijim të procedurës duhet të dëgjohet i pandehuri, të dëmtuarit, po ashtu ende nuk janë identifikuar dhe marrë deklarimet e dëshmitarëve që kanë qenë prezent në momentin kritik.
Andaj në bazë të kësaj, Gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm sepse me qëndrimin në liri të të pandehurit, rrezikohet rrjedha normale e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë të cilët ende nuk janë dëgjuar, dhe në këtë çështje penale do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri, e sipas provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, nga të cilat rezulton se në ditën kritike me datë 22.11.2020 rreth orës 18:30 në Prizren, derisa e dëmtuara (1) me djalin e saj ishte duke mbledhur kanaqe, i pandehuri A.B., nën ndikimin e alkoolit i afrohet dhe e përqafon, kurse e dëmtuara e shtyn të pandehurin dhe fillon të bërtas për të kërkuar ndihmë, në të njëjtën kohë dhe vend i pandehuri dyshohet se përdor mjetin e rrezikshëm – thikën dhe e sulmon të dëmtuarin (2)– djalin e të dëmtuarës (1), duke e goditur në krah, me ç’rast i shqyen xhaketën por pa i shkaktuar lëndime.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, i cili ka qenë nën ndikimin e alkoolit, peshën dhe natyrën e veprave penale, këto sjellje të të pandehurit e arsyetojnë dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tij në liri, i njëjti mund të përsërisë veprat penale të natyrës së njëjtë, andaj është vlerësimi i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj, dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit.
Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë penale (arresti shtëpiak apo paraqitja në stacion policor apo masa tjera të parapara me Kodin e Procedurës Penale), mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale, dhe se masat tjera janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh rrethanat e lartpërmendura, peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprimeve.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.