image Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që u kap me 4.03 gramë heroinë në Ferizaj

Drejtësi

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që u kap me 4.03 gramë heroinë në Ferizaj

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, raporton Gazeta Sinjali.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Mustafë Tahiri, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 4 maj të këtij viti në Ferizaj, pa autorizim ka blerë dhe poseduar, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, substanca ose preparate narkotike.

Policia gjatë kontrollit, kishte gjetur dhe kishte konfiskuar nga i dyshuari një qese me substancë pluhur ngjyrë kafe, e dyshuari si heroinë, me peshë 4.03 gramë, të cilën ai e mbante në pakon e cigareve.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Kjo gjykatë po ashtu vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me KPPRK-në, duke vlerësuar peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohet se është kryer kjo vepër penale, llojin e sasisë së dyshuar narkotike dhe lartësisë së dënimit që parashihet për këtë lloj të veprës penale, karakteristikat e tij personale.

Një argument që ka përdorur gjykata me rastin e caktimit të kësaj mase është edhe fakti që i dyshuari është recidivist i veprave penale të natyrës së njëjtë, por edhe i një numri të madh të veprave penale kryesisht të vjedhjes.

Kështu, gjyqtari ka vlerësuar se ekziston rreziku real dhe potencial, se po që se i njëjti të gjendet në liri, mund të përsërisë vepra penale të njëjta apo të ngjashme./Gazeta Sinjali/