Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurit D. P., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri më 24 prill 2020, rreth orës 19:00 në fshatin Nec në Gjakovë, me dashje e ka privuar nga jeta familjarin e tij (tezakun), tani të ndjerin D. Gj. me një pushkë gjuetie, pas një fjalosje që kishin pasur.
Komunikata e plotë:
Me këto veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 24 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 24 maj 2020.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./GazetaSinjali/