Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve Trim Musliut dhe Armend Osajt, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, si dhe ndaj Kreshnik Musliut dhe Denis Čeman, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve dhe mashtrim”, raporton Gazeta Sinjali.
Katër të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj, deri më 29 prill të këtij viti.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të arratisen nga vendi apo fshihen me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonin në zvarritjen e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Po ashtu, gjyqtari ka vlerësuar se po të gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të dëmtuar e në këtë mënyrë mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, gjithashtu nëse të njëjtit gjendën në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të njëjta apo të ngjashme.
Arrestimi i Trim e Kreshnik Musliut, Armend Osajt dhe Denis Ceman u bë dje gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në dy lokacione të ndryshme në Prishtinë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/