image Një mijë e 217 grave e 57 burrave u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

Sociale

Një mijë e 217 grave e 57 burrave u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

news image

Procesi i aplikimit për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, po vazhdon. Deri tani, statusi i viktimës u është njohur një mijë e 217 grave dhe 57 burrave, thotë kryetarja e komisionit për këtë proces, Leonora Selmani, e cila i fton viktimat që të aplikojnë për njohjen e statusit të garantuar me ligj.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë edhe dhunimet seksuale të burrave, grave e fëmijëve, u përdorën si mjet lufte nga forcat ushtarake, jo ushtarake e policore të Serbisë. Numri i saktë i personave që u përdhunuan gjatë luftës nuk dihet, por sipas raporteve të organizatave relevante, vendore e ndërkombëtare, besohet të jetë rreth 20 mijë.

Në Kosovë, viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, ligjërisht u njihet ky status. Aplikimi për njohjen e tij ka filluar në vitin 2018.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani, tregon për Radio Kosovën numrin e aplikimeve të trajtuara dhe pranuara.

“Nga fillimi e deri më tani kanë aplikuar 1 mijë e 736 persona, prej të cilave të aprovuara janë 1 mijë e 274 ndërsa të tjera janë në proces e sipër. Prej aplikimeve të trajtuara 1 mijë e 532 janë gra, ndërsa 105 burra. Aplikime të aprovuara nga komisioni janë ana e grave 1 mijë e 217, ndërsa burra janë 57”, tha ajo.

Nga aplikimet e trajtuara, komisioni ka refuzuar 266 aplikime, thotë zonja Selmani, e cila tregon se në 6 mujorin e parë të këtij viti kanë pranuar 113 aplikime. Ajo, i fton viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99, që të aplikojnë për njohjen e statusit, pasi kjo është një e drejtë ligjore që duhet të shfrytëzohet nga personat që pësuan.

“Viktimat e dhunës seksuale sipas ligjit i kanë disa përfitime. Benefiti themelor është pensioni personal që është në vlerë prej 230 eurosh në muaj. Ky është një satisfaksion shumë i vogël  krahasuar me dhunën që kanë përjetuar, por, me këtë, atyre përveç se u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, kanë edhe këtë benefit që ia garanton shteti dhe që dhimbja e tyre pak a shumë njihet”, tha ajo.

Sipas ligjit, afati pesëvjeçar për aplikim për njohën e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfundon në muajin shkurt të vitit 2023.

Kryetarja e Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë luftës, thotë se zgjatja e afatit për aplikim mund të bëhet vetëm me ligj, e një gjë e tillë, sipas Selmanit, duhet të ndodhë, marrë parasysh faktin se viktimat nuk e kanë të lehtë të vendosin të aplikojnë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2021 numri i aplikimeve për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës ka qenë 228, gjatë vitit 2020 kanë qenë 204 raste, 268 gjatë vitit 2019 dhe 921 aplikime janë pranuar në vitin 2018, kur ka filluar ky proces.

/GazetaSinjali/