image Një i vdekur e 5 në kërkim nga helikopteri i NATO-s që u rrëzua në detin Jon

Rajon

Rajon/ Një i vdekur e 5 në kërkim nga helikopteri i NATO-s që u rrëzua në detin Jon

news image

Një helikopter i NATO-s është rrëzuar në detin Jon të mërkurën në mbrëmje. Sipas burimeve të Ministrisë Greke të Mbrojtjes, helikopteri CH-124 King ishte ngritur nga një frigatë kanadeze dhe u rrëzua në det, rreth 20 milje detare jashtë ujërave territoriale greke, në perëndim të ishullit Kefalonia.

Në helikopter ishin gjashtë persona, njëri prej të cilëve raportohet se ka humbur jetën, ndërsa për 5 të tjerët vijojnë kërkimet.

Sipas raporteve, helikopteri ishte duke marrë pjesë në një stërvitje detare të Grupit Detar të Përhershëm të NATO-s 2, që është forca e reagimit të menjëhershëm detar të Aleancës.

Roli i saj është që t’i sigurojë NATO-s një aftësi të menjëhershme të reagimit operacional.

Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit të NATO-s po kërkojnë në këtë moment zonën e detit në perëndim të ishullit Kefalonia.

Autoritetet Greke thanë se nuk u është kërkuar të ndihmojnë pasi zona është larg territorit grek dhe jashtë zonës ku vendi ka përgjegjësi për operacionet e kërkimit dhe shpëtimit. /Gazeta Sinjali/