Një burrë 38-vjeçar është vrarë nga një peshkaqen i bardhë rreth 13 këmbë (4 metra) i gjatë në Australinë Perëndimore.
Të shtunën, ai u kafshua pak para orës 10:00 (03:00 BST) në Horseshoe Reef – në veriperëndim të ishullit të njohur Rottnest, pranë qytetit Perth, ka njoftuar policia lokale.
Pamjet ajrore treguan se burri po transportohej me urgjencë drejt bregut me një varkë, ku paramedikët dhe policia kryen reanimim (CPR) në molin e Geordie Bay, raportoi media lokale ABC.
“Fatkeqësisht, burri nuk arriti të shpëtohej,” tha një zëdhënës i policisë.
Departamenti i Burimeve Primare dhe Zhvillimit Rajonal të shtetit i tha agjencisë AFP se ka pranuar një raport se burri ishte kafshuar nga një peshkaqen i bardhë, raporton BBC – transmeton Sinjali.
Autoritetet i bënë thirrje publikut të tregojë “kujdes shtesë” në ujërat e asaj zone.
Ky sulm është incidenti i parë fatal në Australinë Perëndimore që nga marsi i vitit të kaluar, kur një sërfist u sulmua në një plazh të largët.
Që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1791, në Australi janë regjistruar pothuajse 1,300 sulme nga peshkaqenët, prej të cilave më shumë se 260 kanë përfunduar me vdekje.
Më herët këtë vit, në janar, katër sulme nga peshkaqenët u raportuan përgjatë bregdetit të Uellsit të Ri Jugor brenda dy ditësh.
Një nga viktimat ishte 12-vjeçari Nico Antic, i cili u hodh nga një shkëmb në Portin e Sidneit dhe u sulmua nga një peshkaqen i dyshuar “bull shark”.
Ai vdiq një javë më vonë, ndërsa prindërit e tij thanë në një deklaratë të përbashkët se ishin “zemërthyer”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!