image NISMA rehaton në punë kandidaten për deputete

Politikë

Punësime partiake/ NISMA rehaton në punë kandidaten për deputete

news image

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në detyrë, e udhëhequr nga Nisma Socialdemokrate, është kujdesur që para se të largohet, ta punësojë dhe një anëtare të partisë.

Kandidatja për deputete e Nismës Socialdemokrate, Pranvera Dakaj, njëherësh edhe kryetare e rinisë së kësaj partie, është punësuar Zyrtare për Pensione në Zyrën për Pensione në Prizren, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale .

Vendimi për punësimin e saj mbanë datën 25 shtator 2019, pikërisht në ditën e hapjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit.  

Ndërsa konkursi publik, në këtë rast i kurdisur për anëtaren e Nismës Socialdemokrate, është shpallur me 24 korrik 2019, pesë ditë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Nisma Socialdemokrate e Kosovës, përveç në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka punësuar një numër të madh anëtarësh të partisë, në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, duke abuzuar kështu me pushtetin dhe duke cënuar të drejtën për punësim, veprim ky i sanksionuar edhe me Kodin Penal të Kosovës.

Neni 222 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës thotë:

1.Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç që është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet.

2.Kushdo që nuk vepron në pajtim me legjislacionin mbi të drejtat e personave të papunësuar dhe me këtë ia mohon apo ia kufizon të drejtat që iu takojnë atyre, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni.

Kujtojmë se pas dorëheqjes së Ramush  Haradinajt nga posti i kryeministrit, që nënkuptonte edhe rënien e qeverisë, më shumë se 80 persona janë punësuar nëpër ministri të ndryshme, në baza partiake, për të cilat Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi. /Gazeta Sinjali/